Austria fuqizon ligjin për vaksinim, Danimarka heq masat

min lexim

Në Austri, nga 1 shkurti, ka hyrë në fuqi ligji që e bën të detyrueshëm vaksinimin kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Disa vende kanë vendosur detyrime për të moshuarit ose personelin mjekësor, por ky është vendi i parë në Evropë që miraton një masë të tillë gjithëpërfshirëse.

Qeveria e Austrisë tha se vaksinat janë efektive në luftimin e sëmundjeve të rënda dhe se ligji është i nevojshëm për t’i parandaluar izolimet e ardhshme të vendit.

Karoline Edtstadler, ministre për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën, tha se Qeveria është “shumë e vetëdijshme se ky është një hap vërtet i fuqishëm dhe një masë vërtet e vështirë”.

Por, shtoi ajo, ligji është i nevojshëm.

“Ne, si politikanë, kemi përgjegjësi të sigurohemi se sistemi shëndetësor është ende duke funksionuar, se shoqëria në tërësi mund të jetojë normalisht”, tha Edtstadler.

Detyrimi për vaksinë, tha ajo, do të skadojë në janar të vitit 2024 dhe mund të përfundojë më herët nëse e lejon pandemia. Ligji hyn në fuqi më 1 shkurt, por autoritetet nuk do të nisin të kontrollojnë statusin e vaksinimit të njerëzve deri në mes të marsit.

Ata që refuzojnë të vaksinohen, do të marrin gjoba që variojnë nga 600 euro deri në 3,600 euro. Përjashtimet do të zbatohen për ata që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore dhe për gratë shtatzëna.

Rreth 72% e austriakëve janë plotësisht të vaksinuar. Ligji ka shkaktuar disa protesta në Austri, me mesazhet se vaksinimi është zgjedhje personale.

Në një tjetër zhvillim, Danimarka është bërë më 1 shkurt vendi i parë i Bashkimit Evropian që i ka hequr të gjitha kufizimet për frenimin e koronavirusit, pavarësisht numrit rekord të rasteve pozitive, të shkaktuara nga varianti Omicron.

Vendi skandinav ka hequr maskat e fytyrës, certifikatat për vaksinim ose shërim nga infektimi dhe kufizimin e punës së bareve dhe restoranteve.

Klubet e natës gjithashtu rihapen dhe numër i pakufizuar njerëzish do të lejohet në tubime të brendshme.

Në fuqi do të mbeten vetëm disa kufizime në kufij, për udhëtarët e pavaksinuar që vijnë nga vendet jashtë Shengenit.

Lehtësimi i masave vjen pavarësisht se Danimarka – vend me 5.8 milionë banorë – është duke raportuar rreth 40,000 deri në 50,000 infeksione të reja në ditë.

Më shumë se 60 për qind e danezëve kanë marrë dozën e tretë të vaksinës kundër koronavirusit, krahasuar me një mesatare të BE-së prej pak më pak se 45 për qind.

Duke i përfshirë ata që kanë qenë të infektuar së voni me koronavirus, autoritetet shëndetësore daneze vlerësojnë se 80 për qind e popullsisë është e mbrojtur nga format e rënda të sëmundjes.

Strategjia e autoriteteve daneze gëzon mbështetje të gjerë të brendshme. Sipas një sondazhi të publikuar më 31 janar nga e përditshmja Politiken, 64 për qind e danezëve të anketuar kanë thënë se kanë besim në politikën e Qeverisë kundër koronavirusit.

Disa vende evropiane, përfshirë Francën, Irlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë paralajmëruar heqjen ose zvogëlimin e konsiderueshëm të masave kufizuese, pavarësisht shifrave rekorde të të infektuarve.

Sipas tyre, numri i të shtruarve në spital është relativisht më i vogël se në valët e tjera të pandemisë dhe kjo u lejon të manovrojnë me masa.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 73 për qind e popullsisë evropiane është infektuar me koronavirus – së paku një herë qysh në janar të vitit 2020./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kosova në zgripin e saj më të rrezikshëm

Story i radhës

Mësoni arsyen e rëndësishme: Pse nuk duhet të përtypni çamçakëz me stomak bosh

Të fundit nga