Aty ku kryeministri Edi Rama në krenarinë e tij reflekton nënshtrim

April 19, 2022
min lexim

Para pak ditësh Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përsëri krenohej dhe vetëlavdërohej me projektin ”Ballkani i Hapur”. Deri tani shumë individë e kanë sulmuar dhe gati nuk ka mbetur pa u përdorur metodë, koncepte e kategori, vështrim i thellë analitik shkencor, stil letrar (përfshirë edhe parodinë),  shpjegime, gjuhë e nivel akademik i atyre individëve që me argumente të panumërta drejtuar Kryeministrit Shqipërisë, Edi Rama, të dokumentojnë se projekti dikur i quajtur ”Minishengen” kurse me vonë ”Ballkani i Hapur”  (”BH”),  është projekt serbo-rus dhe kryekëput projekt antishqiptar. Me emërtimin e  ri, ”BH” projekti fshehtë idenë kryesore të vetë, ka atributin zbukurues e mashtrues, dhe reklamues e propagandues të huazuar nga vepra ”Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj”, që është kryevepra e filozofisë politike të filozofit të famshëm austriako-britanez, Karl  R. Popper, e cila në fakt promovon fuqishëm liritë dhe të drejtat e njeriut, e të cilën filozofi tjetër dhe nobelisti britanik, Bertrand Russell, e vlerëson si ”vepër e rëndësisë së klasës së parë ” dhe si ”mbrojtëse e fuqishme dhe e thellë e demokracisë”, prej nga projekti ”BH” rezulton si antipod i saj që në startin e vetë, përkundër atributit fisnik si dekor joshës e propagandues.

Në mungesë të kundër argumenteve bindëse Kryeministri Rama deklaron me krenari si meritë  të madhe rezultatet që paska arritur  ”BH” për ta bindur Serbinë dhe Kryeminatorin e saj, Vuҫiq, që edhe Serbia të mos ndahet nga të tjerët, por gadi si të  gjithë të tjerët, me votën e saj të lirë në KB ta dënojë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe dy javë më vonë, në votimin tjetër, edhe përjashtimin e Rusisë nga Këshilli në KB për të drejtat dhe liritë e njeriut (UNHRC). Sipas Ramës  ”pa ”BH” ajo nuk do të ndodhte”. Dhe, kjo mrekulli e kësaj ndodhie, si kriterium dhe relevancë prevalente të vetën, të ketë qoftë edhe çmimin e mohimit të pavarësisë Kosovës, të cilën e inkorporon projketi ”BH”. Vërtetë krejtësisht abnormale për profilin, integritetin dhe dinjitetin e çfarëdo Kryeministri!

Por nga ana tjetër, Serbia as që u është bashkangjitur ShBA-s dhe shteteve të BE që edhe ajo të vendosë sanksione kundër Rusisë (ku ishte këtu ”BH” dhe” ndodhia”?!) përkundër thirrjeve nga BE që të tregohet unitet dhe Serbia ta harmonizojë politikën e jashtme të saj me atë të BE, ashtu që edhe Serbia t´i bashkëngjitet sanksioneve kundër Rusisë. Përkundrazi, atë Serbia e ka refuzuar dhe për këtë ka marr përkrahje e fjalë miradije nga ministri i jashtëm i Rusisë, Igor Lavrov, dhe zyrtarët tjerë rus, që e dëshmon uljen e Vuҫiqit në dy karrige dhe përkrahjen e miradijen gjegjëse për këtë lloj ulje e pozicionimi.

Kryeministri Rama krenohet me ato dy vota të Serbisë, vetëlavdërohet dhe ngritë lartë rezultatin dhe efektin e ”BH” në ato çështje, e konsideron këtë meritë tepër të madhe të ”BH”, por pa asnjë përgjegjësie të një lideri e aksepton dhe e tejkalon m.n.t.th. (me nder të thuash ) atë ndotësinë më të madhe që kundërmon me erën më të keqe të projektit ”BH”, i cili që në start, në postulatin e parë të tij e mohon pavarësinë e Kosovës dhe Kosovën e konsideron si pjesë integrale të Serbisë. Këtë Kryeministri Rama nuk e nuhatë dot, apo nuk dëshiron dot, dhe madje e fton edhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, përndryshe me sjellje hiç vëllazërore ndaj Kurtit për kënaqësi (apo për t´i bërë kënaqësi Vuҫiqit jo vetëm në ”BH”),  që edhe Kurti t´i bashkëngjitet Ramës dhe ”të mbyllë hundën” nga kundërmimi i ”erës” dhe aty e tutje përgjegjësinë ta ndajnë bashkërisht.

Sa do që Kryeministri Rama në Beograd apo gjetiu deklarativisht shprehet në favor të pavarësisë së Kosovës, ai në veprim e anihilon atë, e nëpërmjet të ”BH” tregohet inkosekuent, entuziastik deri në opsesion, kalon në servilizëm, shpërfill dhe akcepton mohimin e pavarësisë Kosovës nga ana e Vuҫiqit, që, në relacionin Rama-Vuҫiq, është koherencë e mirëseardhur dhe forcë motorike e fuqishme inkurajuese për Vuҫiqin në vazhdimin e veprimit të tij tejet armiqësor ndaj Kosovës.

Është tepër dëshpëruese dhe vërtetë e paimagjinueshme për shqiptarët jashtë Shqipërisë, si në Kosovë po ashtu edhe gjetiu, që një Kryeministër i Shqipërisë, të cilën shumë gjenerata para nesh, të shkëputur dhunshëm e me gjak nga ajo, kanë vazhduar ta quajnë Nëna Shqipëri, ashtu  sikur e quanin me përkëdhelje atëherë kur ishin pjesë e saj dhe në gjoksin e saj, liciton në atë mënyrë mohuese e shkatërruese dhe brutale e vullgare me pavarësinë e Kosovës të arritur me gjak e gjenocid, por, për fat tepër të madh të shqiptarëve, të arritur edhe falë ndihmës vendimtare e të gjithanshme të intervenimit antigjenocidal, për shqiptarët përjetësisht falënderuese dhe kurrën e kurrës të harruar, nga të bekuarit NATO dhe ShBA. Në këso situate ҫdo njeri racional vërtet nuk do të dinte ҫfarë tjetër të thotë përpos të shpresojë të ndodhë ”ndodhia” dhe Kryeministrit Rama t´i ndodhë sa më shpejt ”hapja e hundës”.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Zelensky: Situata në Mariupol mbetet e vështirë

Story i radhës

Biden: Nuk e di nëse do të vizitoj Ukrainën

Të fundit nga

ShkoLartë