Kosova po përballet me zhvillime dhe sfida të shumta.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi i komentoi këto zhvillime, derisa foli edhe për spekulimet në lidhje me përçarjet e mundshme brenda partisë.
Fillimisht, Zaimi u shpreh se, e gjithë Evropa po has nëvështirësi për shkak të krizës ekonomike dhe energjetike, si pasojë e luftës nga pushtimi rus në Ukrainë.
Sipas tij, situata politike në Kosovë është më e qëndrueshme se në vende të tjera, për shkak se forca që ka pushtetin, pra LVV-ja, sipas të gjitha sondazheve vazhdon të jetë e para në mbështetje popullore, me distancë të madhe nga e dyta.
Krahas bashkëpunimit, opozitë-pozitë, ai kërkoi nga qeveria të ketë kujdes që të mos bashkëpunojë me segmente të kriminalizuara apo me oligarkë të ish-pushteteve.
Kurse, Zaimi i hodhi poshtë raportimet për një përçarje brenda LVV-së.
“Janë debate shumë të zakonshme sa herë që ka zgjedhje. Nuk duhen ngatërruar ambiciet personale me përçarjet. Tash zgjedhjet kaluan, dhe siç po duket, nuk ka ndonjë përçarje”.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë?
Arbër Zaimi: Krejt Evropa po has vështirësi me krizë ekonomike dhe energjetike, si dhe inflacion të rritur. Megjithatë, situata politike në Kosovë është më e qëndrueshme se në vende të tjera, për shkak se forca që ka pushtetin, pra LVV-ja, sipas të gjitha sondazheve vazhdon të jetë e para në mbështetje popullore, me distancë të madhe nga e dyta. Kjo është arsyeja se pse asnjë parti apo grupacion tjetër, nuk guxon të kërkojë zgjedhje. Kjo gjë i jep stabilitet Kosovës, dhe stabiliteti mund të ndihmojë që kriza të kapërcehet pa u thelluar problemet ekonomike e sociale.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni se niveli i bashkëpunimit qeveri-opozitë është në nivelin e duhur?
Arbër Zaimi: Gjithmonë ka vend për bashkëpunim më të mirë, por Qeveria duhet të kujdeset që të mos bashkëpunojë me segmente të kriminalizuara apo me oligarkë të ish-pushteteve. Arsyeja pse njerëzit e votuan LVV ishte që të mos reciklohen të korruptuarit e pushteteve të kaluara, dhe me ata nuk ka nevojë të ketë bashkëpunim. Pjesa e reformuar e opozitës, figurat e reja, do të kishte qenë mirë po të ishin më bashkëpunues në komisione parlamentare e në seanca. Qytetarët janë lodhur nga zhurmaxhinjtë, ata presin nga politikanët bashkëpunim, punë dhe zhvillim.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni ka vend për përmirësime brenda qeverisë Kurti II dhe në cilat fusha?
Arbër Zaimi: Sigurisht që gjithmonë ka vend për përmirësime, por nëse krahasohen me situatën e qeverive të kaluara, çdo sektor i qeverisë qëndron më mirë në raport me korrupsionin. Në raport me ekonominë, kjo Qeveri duhet të përballet me një krizë globale pa precedent, megjithatë ka shpërndarë për qytetarët, fermerët e bizneset më shumë para se çdo qeveri tjetër. Megjithatë, është e kuptueshme që njerëzit presin më shumë. Mendoj se do të ketë shpejt rezultate të prekshme në shëndetësi, si pasojë e prioritizimit nga kryeministri, por edhe në arsim ku po fillon të provohet sistemi dual, si në Gjermani, ku bizneset u japin nxënësve shansin të krijojnë përvojë praktike.
Gazeta “Bota sot”: Së fundi u mbajtën zgjedhjet e brendshme në LVV, ku kryetar u zgjodh Albin Kurti. Mirëpo, kishe shumë debat dhe reagime për një përçarje të brendshme. Sa qëndrojnë këto deklarime?
Arbër Zaimi: Janë debate shumë të zakonshme sa herë që ka zgjedhje. Nuk duhen ngatërruar ambiciet personale me përçarjet. Tash zgjedhjet kaluan, dhe siç po duket, nuk ka ndonjë përçarje.
Gazeta “Bota sot”: A mund të ketë largime nga LVV?
Arbër Zaimi: Nuk duket ashtu.
Gazeta “Bota sot”: Një nga temat më të diskutuara aktualisht është dialogu me Serbinë, si e shihni qasjen e Kurtit ndaj negociatave, veçanërisht ndaj Vuçiqit?
Arbër Zaimi: Është qasje e kujdesshme dhe e mirëpërgatitur, e bazuar mbi gatishmërinë për dialog e marrëveshje dhe mbi idenë e të qenit palë të barabarta në tryezën e dialogut. Sa herë që pala serbe kërkon diçka prej Kosovës, pala kosovare po e ngre të njëjtin shqetësim dhe të njëjtën kërkesë, si palë e barabartë. Kjo qasje nuk mund të kundërshtohet nga negociatorët ndërkombëtarë, sepse ata e kanë pranuar Kosovën si të barabartë në dialog. Por Serbinë kjo qasje po e komplekson dhe po e tremb. Sa herë që p.sh. pala serbe hap çështjen e asociacionit apo të drejtave të minoritetit serb në Kosovë, pala kosovare sjell në vëmendje komunitetin shqiptar në Serbi dhe kërkon të njëjtat të drejta. Serbia nuk është e gatshme, prandaj kompleksohet dhe përpiqet t’i ikë dialogut. Ndërkombëtarët e kanë vënë re se Kosova është e gatshme për dialog ndërsa Serbia shmanget.
Gazeta “Bota sot”: Aleksandar Vuçiq njihet për afërsinë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. A mendon se ky raport e dobëson Kosovën karshi Serbisë?
Arbër Zaimi: Nuk mendoj se ka afërsi në kuptimin personal, por ka një përllogaritje të gabuar të interesave ekonomike dhe gjeopolitike nga kryeministri i Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, politika e Shqipërisë, në Qeveri dhe opozitë, gjithmonë është më afër Kosovës se sa çdo vendi tjetër. Sa herë që të jetë nevoja Shqipëria do të jetë pranë Kosovës. Serbia fatkeqësisht po i lidh edhe më ngushtë marrëdhëniet e saj me Rusinë. Ne si shqiptarë, serbët i kemi fqinjë dhe do të donim marrëdhënie normale me ta, por baza e normalizimit duhet të jetë njohja e Kosovës dhe distancimi nga Rusia.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë mendimi keni për “një kornizë të dialogut Kosovë-Serbi”?
Arbër Zaimi: Disa nga propozimet e atyshme i interesojnë vetëm Serbisë, siç ishte p.sh. propozimi që Serbia të njihet si “fuqi rajonale”. Kjo nuk është gjuhë diplomatike, as gjuhë marrëveshjesh. Duket se e ka shkruar atë dokument të rrejshëm dikush që nuk di as të shkruajë “nonpaper”. Propozimi që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet pas 10 vitesh i intereson vetëm Serbisë. Vuçiqi dëshiron të presë mbarimin e luftës në Ukrainë dhe rikthimin e Rusisë në skenën ndërkombëtare si fuqi e madhe. Ai ka frikë nga marrëveshja tash, kur Rusia është e padëshiruar prej gjithë perëndimit. Gjithashtu, ai dëshiron të presë 10 vite, me shpresën se atëherë nuk do të ketë përballë Kurtin, por ndonjë të ngjashëm me ish-pushtetarët.
Gazeta “Bota sot”: Sa besoni se mund të arrihet një marrëveshje finale, duke parë qasjen arrogante të presidentit serb ku refuzon me çdo kusht ta njoh pavarësinë e Kosovës?
Arbër Zaimi: Besoj se është e mundshme marrëveshja. Mendoj se është e mirë për Serbinë dhe për të gjithë rajonin, njohja e Kosovës. Do të sillte paqe afatgjatë, stabilitet demokratik, dhe zhvillim ekonomik. Klasa politike në Serbi nuk e bën njohjen e Kosovës sepse ka frikë nga Rusia, e cila është shumë prezente në Serbi me kapital financiar dhe me media (por edhe me ushtri etj). Për frikën nuk ka ilaç, megjithatë mendoj se presioni perëndimor që Serbia të shkëputet nga Rusia, do të ketë sukses. Nuk do të mbetet një Bjellorusi e dytë.
Gazeta “Bota sot”: Si e shihni ju epilogun e dialogut Kosovë-Serbi?
Arbër Zaimi: Njohja e ndërsjellët dhe marrëdhëniet fqinjësore janë i vetmi epilog i mundshëm.
Gazeta “Bota sot”: Së fundi në media u publikua edhe një informacion se vitin e kaluar planifikohej një atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti. Si e vlerësoni këtë? Sa është i rrezikuar kryeministri Kurti?
Arbër Zaimi: Këtë e vlerësojnë institucionet e rendit dhe të sigurisë. Kryeministri Kurti ka armiq në radhët e atyre që dëshirojnë të mos dënohen kriminelët dhe të korruptuarit. Por edhe në radhët e atyre që dëshirojnë një Kosovë të dobët në dialog.