Ishte një mbrëmje ëndrrash për Napolin. Askush më parë nuk i kishte shënuar në ndeshjet europiane 6 gola Ajaxit në “Johan Cruyiff Arena”.
Ndaj ishte normale që, pas fishkëllimës së trefishtë të gjyqtarit, humori i lojtarëve të dy skuadrave të ishte diametralisht i kundërt.
Nëse në dhomat e zhveshjes së Napolit u festua dukshëm për një rezultat që i afroi me fazë tjetër, në ambientin e “Harkëtarëve” mbretëroi zhgënjimi për një disfatë të përmasave të imagjinueshme.
Në fund të takimit, një pjesëtar i stafit të Napolit shkoi në dhomat e zhveshjes së vendësve për shkëmbimin klasik të fanellave. Ai mori me vete disa bluza të protagonistëve të ndeshjes për t’ia dorëzuar një anëtari të stafit të Ajaxit, i cili ishte kthyer shumë shpejt duke shpjeguar se asnjë nga futbollistët nuk ishte i interesuar për të shkëmbyer fanellat.
Një episod i veçantë që nuk la shije të mirë te të kaltrit, por ata do të mbahen mend gjatë për këtë fitore historike të Napolit.