Pas miratimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës, Gëzim Sveçla, shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka demoluar pajisjet në sallën e mbledhjeve të Komunës.
Ndaj këtij veprimi të Sveçlës ka pasur reagime të ashpra.
Asamblisti i AKR-së, Gëzim Mehmeti, në një reagim në llogarinë zyrtare në platformën sociale Facebook, ka thënë se çdo përpjekje për të ushtruar ndikim individual apo partiak është shkelje e rëndë e demokracisë dhe vepër penale sipas ligjit.
“Asamblistët janë përfaqësuesit e popullit dhe zëri i tij në institucionet vendimmarrëse. Ata kanë detyrën të marrin vendime të bazuara në argumente, prova materiale dhe në interes të qytetarëve. Çdo përpjekje për të ushtruar ndikim individual apo partiak është shkelje e rëndë e demokracisë dhe vepër penale sipas ligjit,” ka deklaruar Mehmeti.
Ai ka shtuar se ruajtja e integritetit dhe pavarësisë së asamblistëve është thelbësore për funksionimin e demokracisë.
“Në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të drejtës për të votuar dhe vendosur pa presione, ne duhet të ruajmë integritetin dhe pavarësinë. Demokracia është e fortë vetëm kur respektohet vullneti i qytetarëve dhe kur asambleistët punojnë në shërbim të tij, të pandikuar.”
Sveçla këtë akt e quajti simbolik teksa shkuli mikrofonat e Kuvendit Komunal të Prishtinës, tani ai është ndaluar për 48 orë.
Burimi: botasot.info