Në vitin 2000 një zyrtare e Bashkimit Evropian në Prishtinë kishte qortuar një lider kosovar për faktin që në zyrën e tij mbante flamurin e SHBA-ve, por jo edhe të Bashkimit Evropian. Ajo kishte thënë se nuk do të hynte më në atë zyrë, përderisa nuk ka edhe një flamur të Bashkimit Evropian. Lideri kosovar vuri flamurin e BE-së në zyrë dhe raportet Bruksel – Prishtinë u “normalizuan”.
Bashkimi Evropian në vitin 2003 në samitin e Selanikut bëri edhe një hap tjetër para dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u premtoj perspektivën evropiane.
19 vite më vonë nga ai premtim Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka përfituar absolutisht asgjë. Madje kosovarët kanë mbetur të vetmit në Evropë pa të drejtën e lirisë së lëvizjes, përkatësisht pa liberalizim të vizave. Të liberalizosh vizat me vendet e largëta të Amerikës Latine dhe të mbash në geto të izoluar 2 milionë kosovarë është më shumë se diskriminim. Kjo nuk i bënë nder Bashkimit Evropian, aq më tepër në rrethanat kur Brukseli tash 5 – 6 vite thotë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret për liberalizim të vizave.
Në këto rrethana shtrohet pyetja: nëse për liberalizim të vizave u dashkan 10 – 20 vjet, athua sa vite duhet pritur për anëtarësim të Kosovës në BE?
Tingëllon paradoksale, por ka ardhur koha që Kosova ta thotë zëshëm dhe pa komplekse se ka alternativa tjera. Alternativat e Kosovës nuk konsistojnë te Ballkani i Hapur, që është krijesë e kokave ballkanike për sherre të mëdha me Evropën dhe për interesa të autokratëve në Tiranë dhe Beograd. Nuk është as Lindja, përkatësisht Moska dhe hiq se hiq Orienti ish – Otoman. Alternativa e Kosovës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Brukseli duhet ta kuptoj dhe dëgjoj nga Prishtina se sponsor dhe ideatorë të çlirimit dhe shtetësisë së Kosovës nuk ishte Bashkimi Evropian, por ekskluzivisht Uashingtoni dhe Londra.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kishte të drejtë dje në Bruksel kur tha: “Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë”. Por, Vjosa Osmani do ta bënte edhe më kuptimplotë këtë qëndrim nëse do të shtonte se për kosovarët ka edhe disa rrugë tjera dhe ato shpijnë në Uashington dhe Londër.
Pikërisht këtë alternativë për Kosovën e kishte paralajmëruar Qendra “Woodro Wilson” në Uashington DC verën e kaluar. Në analizën e gjerë (18 faqe) me titullin “Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës – pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë tani”, Qendra “Woodro Wilson” pos tjerash kishte kërkuar liberalizim urgjent të vizave për Kosovën, njohje të pavarësisë së Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së, reciprocitet me Serbinë, heqje dorë nga bashkimi me çdo shtet tjetër, anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe më e rëndësishmja:
“Përgatitja e terrenit për anëtarësim të Kosovës në NATO. Nëse do të ketë kundërshtim (veto) për anëtarësim të Kosovë në NATO, atëherë SHBA, Britania e Madhe dhe disa vende tjera evropiane të nënshkruajnë marrëveshje për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes me Kosovën. Këto marrëveshje do të ishin të ngjashme me ato që SHBA ka me Korenë Jugore”.
Qeveria dhe opozita kanë obligim që këtë platformë të Qendrës “Woodro Wilson” bashkërisht ta shqyrtojnë dhe ta bëjnë strategji afatgjatë të politikës së jashtme të Kosovës. Shtetet serioze nuk vajtojnë dhe as nuk kërkojnë lëmoshë, por hartojnë politika dhe aleanca me miq të sprovuar. Përkatësinë dhe identitetin evropian Kosovës nuk mund t’ia mohojë askush dhe as BE-ja. Bashkimi Evropian mund të tallet me Kosovën dhe ta lërë të izoluar (gjeografikisht), por në planin politikë, ekonomikë dhe gjeopolitikë, Kosova ka mbështetës të fuqishëm jashtë Bashkimit Evropian, që e ngritën dhe ndihmuan të mbijetojë.
instancë të fundit Kosova nuk do të ishte as e para dhe as e fundit, që në një ambient të rrethimit armiqësor, kërkon rrugë tjetër të zhvillimit. Këtë fat ose fatkeqësi e kanë pasur edhe vende tjera si Koreja Jugore, Izraeli, Tajvani… Duke ndjekur modelin e këtyre vendeve, Kosova nuk do të pretendonte nivelin e zhvillimit të tyre shumë të lartë, por do të dërgonte mesazhin te BE-ja se nuk është e vetmuar dhe se ka alternativa tjera.
Me një orientim të tillë afatgjatë, zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk do të mund të na diktojnë se çfarë flamuj do mbajmë në zyrat tona. Ata (BE) në Kosovë do të jenë të mirëseardhur gjithmonë, por pa diktate dhe pa premtime që nuk i përmbushin kurrë.