Kushdo që nuk do të japë rezultate adekuate duhet të mbajë përgjegjësi dhe se nuk do të lejojë ndikim politik në Qytetin e Shkupit, tha kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, mysafire në lajmet e televizionit Kanal 5.
“Besoj se të gjithë qytetarët e dinë që unë nuk jam politikan dhe është në interesin tim që të realizoj projektet e premtuara në program, në interes të të gjithë qytetarëve. Nëse rezultatet nuk janë në nivel të kënaqshëm, është normale që të ketë reagime dhe të ketë përgjegjësi dhe të merret përgjegjësi. Në rastin konkret kemi pasur një rast konkret për të cilin ka pasur indikacione se ka pasur ndikim në procedurën e një tenderi miliona euro, pra të prokurimit publik, për të cilin dje patëm një reagim në opinion.
Të gjithë kanë përgjegjësi para së gjithash ndaj qytetarëve, besimi që na është dhënë nuk guxon të tradhtohet, unë jam zgjedhur në këto zgjedhje lokale drejtpërdrejt nga populli i Shkupit dhe nuk duhet ta tradhtoj besimin e tyre. Kjo nuk do të thotë se dikush që nuk jep rezultate, nuk është transparent dhe nuk përfundon gjërat që duhet të përfundojë, duhet të tolerohet. Për ne si Qyteti i Shkupit është e rëndësishme që ata persona të cilëve u kemi dhënë një përgjegjësi të tillë t’i udhëheqin ndërmarrjet publike për të dhënë rezultatet që priten prej tyre, nëse kjo marrëdhënie nuk është në nivel të kënaqshëm, atëherë përgjegjësia duhet të bartet ashtu siç është bartur”, thotë Arsovska.
Kryetarja ka theksuar se nuk ka pasur kontakte me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hrisitjan Mickoski dhe se nuk do të lejojë asnjë ndikim politik në qytetin e Shkupit.
“Nuk kemi kontakte për një kohë të gjatë, kontaktet që kemi pasur kanë pasur për qëllim realizimin e atyre aktiviteteve programore nga programi i Qytetit të Shkupit. Si person i zgjedhur nga populli i Shkupit, nuk do të lejoj asnjë ndikim politik në qytetin e Shkupit. Mendoj se kjo nuk duhet të ndodhë në secilin prej këtyre institucioneve publike ku Komuna është themelues. Konsideroj se jam e obliguar ndaj të gjithë qytetarëve, edhe ndaj atyre që më kanë votuar edhe ndaj atyre që nuk më kanë votuar, kam premtuar se do të jem kryetare e të gjithë qytetarëve të Shkupit. Sido që të jetë, jam mirënjohës për besimin që më është treguar dhe besoj se nuk do ta tradhtoj atë besim. Nëse dikush mendonte se ai besim duhet të ishte për të punuar për interesat personale të dikujt, kjo nuk do të ndodhë. Para së gjithash, si person që nga dita e parë kam thënë se do të jem kundër korrupsionit, kundër ndikimeve politike dhe besoj se do të mbetem e denjë për këtë deri në fund të këtij mandati”, thotë Arsovska.