Drejtori i Juventusit, Maurizio Arrivabene pranon se Matijs de Ligt dëshiron të largohet, por paralajmëron Çellsin se të tre palët duhet të jenë të kënaqura në këtë operacion.
Mbrojtësi holandez ka një kontratë deri në qershor 2024 dhe “Zonja e Vjetër” ka qenë në bisedime për të zgjatur qëndrimin e tij për disa muaj. Megjithatë, De Ligt dëshiron të largohet nga klubi dhe Çellsi tani po negocion për nënshkrimin e tij.
“Ne po flasim për lojtarët që ndjekin këshillat e agjentëve apo kolegëve në vend të klubit. Sot, mbajtja e një lojtari që dëshiron të largohet është e pamundur. Nuk ka të bëjë gjithmonë me paratë dhe nëse dikush dëshiron të shkojë, nuk mund t’i themi thjeshtë, ok, vazhdo.
Është e vështirë të mbash një lojtar, por të gjithë ata që ulen në tryezën e negociatave duhet të jenë të kënaqur. Kush ka paratë fiton”, tha Arrivabene për gazetën “Tuttosport”.
De Ligt iu bashkua Juventusit nga Ajaksi në një marrëveshje prej 85.5 milionë euro në vitin 2019. Ai ka shënuar tetë gola në 117 paraqitje me “Bianconerët”, duke fituar titullin e Serie A në sezonin 2019-20, sezoni i tij i parë në klub.
Oferta e fundit e Çellsit për De Ligt është 40 milionë euro, plus Timo Verner ose Kristian Pulishiç, por Juventusi dëshiron një ofertë më të lartë për të shitur mbrojtësin e tyre.