Interpol Tirana në bashkëpunim me partnerët britanikë, ka mundur të vendosë në pranga në Angli një shtetas shqiptar të këkruar për trafik drogë në Kosovë, dhe pritet ekstradimi i tij në Shqipëri.
Sipas dokumenteve të Gjykatës së Ekstradimeve City of Westminster Magistrates’ Court burime për mediat kanë bërë me dije se i arrestuari për qëllime ekstradimi është Gëzim Çela.
Më tej mësohet se gjykatës së më sipërme i është bërë me dije se autoritetet shqiptare kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për Çelën, pasi ai akuzohet se më 15 tetor të 2015-ës, ai është përfshirë në një bashkëpunim kriminal me Fran Merdhocin, Alfred Mikelin, Arif Çelën dhe Victor Lekgegajn për trafikimin e 49 kilogramëve kanabis drejt Kosovës.
Gëzim Çela do të paraqitet në seancën e radhës për ekstradimin më 4 qershor 2026, në orën 10:00.
Kurse Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, e lokalizuar në Ministrinë e drejtësisë në Tiranë, ka një afat 40 ditor për të dërguar dosjen përkatëse së bashku me një garanci të firmosur nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu, e cila siguron se Çela do të ketë të drejtën e rigjykimit pasi është dënuar në mungesë.
Bazuar në atë që shpreh gjykata britanike, ai nuk mund të ndjekë procedurat e ekstradimit në liri me kusht, pasi vepra penale për të cilën akuzohet është e rëndë.
Kush është Gëzim Çela?
Më 8 dhjetor 2023 baroni i drogës u arrestua në Kosovë.
Deri në vitin 1997 ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë, por më pas jeta e tij mori një rrjedhë komplet tjetër, duke u kthyer në një nga trafikantët më të mëdhenj që kalonte drogë nga vendet e Lindjes së Mesme në Europë.
Ai ka qenë i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni” dhe njihet si një nga “bosët” e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafikun e lëndëve narkotike.
Në atë vilë, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë dhe 150 kilogram kanabis sativa, ndërsa në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërruan një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.
Por Çela u lirua nga Gjykata me argumentin se vuante nga një sëmundje e rëndë, por më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”, por kur policia rrethoi shtëpinë e tij në Mamurras, ai ia kishte mbathur.
Për Çelën ekziston edhe një dënim nga Gjykata Italiane me 11 vite burgim dhe 150 mijë euro gjobë.
Burimi: botasot.info


