Është arrestuar personi i cili të mërkurën, nga ambientet e Kuvendit të Kosovës, kishte bërë thirrje për pushkatimin e deputetit dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Arrestimin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, duke bërë të ditur se ndaj të dyshuarit tashmë kanë nisur veprimet procedurale.
“Po, personi i dyshuar është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë. Ndaj tij do të merren veprimet procedurale në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Arrestimi vjen pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte nisur hetimet lidhur me deklaratat e personit, i cili gjatë qëndrimit në Kuvendin e Kosovës bëri thirrje publike për pushkatimin e Haradinajt.
Prokuroria kishte bërë të ditur se organet kompetente po ndërmerrnin veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale.
Rasti ka marrë vëmendje të madhe për shkak të gjuhës së rëndë të përdorur dhe faktit se deklarata është bërë brenda ambienteve të institucionit më të lartë ligjvënës të vendit.
Hetimet për rastin po vazhdojnë në koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.
Burimi: botasot.info


