Tre shtetas kroatë u arrestuan në pikën kufitare Bezdan, midis Kroacisë dhe Serbisë, pasi te ta u gjet një kokë rrufepritëse.
Ministria e Brendshme e Serbisë konfirmoi për gazetën serbe, Blic, se koka rrufepritëse u gjet gjatë kontrollit në kufi, në bagazhin e një veture “Audi”, në dalje nga Serbia.
Tre shtetasit kroatë dyshohen për veprën penale të futjes së substancave të rrezikshme në Serbi.
Ata do të merren në pyetje në Prokurorinë Themelore Publike të qytetit të Somborit.
Portali lokal, SOinfo, shkruan se prania e një “sasie serioze” të lëndëve radioaktive u detektua nga sensorët e vendosur në pikën kufitare.
Sipas raportimeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, rrufepritësit radioaktivë u instaluan në mbarë ish-Jugosllavinë gjatë viteve ‘60 të shekullit të kaluar, si mbrojtje më efektive kundër rrufesë.
Kur shkenca vuri në dukje se rrufepritësit e tillë bëjnë më shumë dëm sesa mirë, ata u shpallën radioaktivë.
Sipas të dhënave të vitit 2018 të Agjencisë serbe për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jonizues dhe Sigurinë Bërthamore, në Serbi ka pasur më shumë se 700 rrufepritës radioaktivë që nuk janë hequr nga objektet./REL