Janë arrestuar babë e bir për kultivim të kanabisit në banesën e tyre, ndërsa është vënë nën hetim djali tjetër i familjes vetëm 16 vjeç.
“Përmes operacionit të koduar “Processing”, Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Shqipërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, realizuan arrestimin e Zh. M., 47 vjeç dhe F. M., 21 vjeç për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan bimë narkotike cannabis sativa, të mbjella në tokë dhe në vazo, qese, që shërbejnë për ndarjen e lëndës narkotike në doza dhe municion luftarak.
Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi i kultivonin bimët narkotike në banesën e tyre, e përgatitnin lëndën narkotike në doza, të cilat i shisnin më pas në zona të ndryshme të Tiranës./TCh