Arrestimi i Nuredin Dumanit, Gledis Nano në konferencë të jashtëzakonshme për mediat

min lexim

Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në orën 1:00 të mëngjesit të së mërkurës.

Nano ka dhënë detaje nga arrestimi i të shumëkërkuarit Nuredin Dumani si dhe të një personi tjetër që ndodhej bashkë me të në momentin e arrestimit.

Nano dha detaje mbi arrestimin e Dumanit.

Deklarata e plotë e Nanos: 

Mbrëmjen e datës 29 mars 2022, nga strukturat e Policisë së Shtetit është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Arratia”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i një prej personave më të kërkuar i dyshuar për disa vrasje.

Më datë 29 mars 2022, rreth orës 22:25, në lagjen “Apollonia” në Fier, si rezultat i punës profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, u bë lokalizimi dhe kapja e një prej personave më të kërkuar sot në vendin tonë, Nuredin Dumani.

Në finalizimin e operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga Policia e Elbasanit u angazhuan forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Gjatë operacionit bashkë me shtetasin Nuredin Dumani u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shetasit H. H., 40 vjeç, banues në lagjen Apollonia, Fier, i cili u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe një pistoletë në automjet.

Gjithashtu nga kontrolli në banesën ku fshihej Nuredin Dumani, u gjet e u sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov, si dhe prova të tjera të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga Grupi Hetimor.

Po gjatë operacionit, u kapën edhe dy persona të tjerë për të cilët Grupi Hetimor po punon për sqarimin e pozitës së tyre, për lidhjet me personin e shumë kërkuar Nuredin Dumani.

Sqarojmë se më datë 29 mars 2022, rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjetit tip “BMW”, në të cilin dyshohet se udhëtonte shtetasi i kërkuar.

Pas marrjes djeni për ndodhjen e kësaj ngjarjeje, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale dhe ndjekjes në një kohë shumë të shpejtë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u arrit të lokalizohej dhe kapej shtetasi Nuredin Dumani.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, si dhe pozicionin e shtetasit Nuredin Dumani i cili në momentin e kapjes ishte i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij sipas mjekëve është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë ne qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore.

Deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri kallashnikov, (një kallashnikov është sekeustruar nga Policia e Elbasanit).

Gjej rastin të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë të angazhuar në këtë operacion të cilët prej disa muajëve kanë punuar me intensitet e përkushtim për lokalizimin dhe kapjen e personave shumë të kërkruar.

Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe SPAK-un, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer e profesionale për strukturat hetimore të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për goditjen e çdo aktiviteti kriminal, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të tyre dhe personave të kërkuar që i shmangen hetimit.

Ndërkohë Nano tha se hetimi vazhdon për të gjithë ngjarjen dhe nuk mund të japë detaje mbi hetimin.

Lidhur me ngjarjen foli dhe Prokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili tha se ngjarja është ende nën hetim.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Dogana dhe IFC prezantojn studimin për kohën e zhdoganimit të mallrave

Story i radhës

Kosova mes të mundshmes dhe të dëshiruarës!

Të fundit nga