Leotrim Retkoceri, shef i asambleistëve të PDK-së në Prishtinë, ka reaguar pas arrestimit të asambleistit të Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci.
Ai thotë se është jashtëzakonisht shqetësuese se kush e përfaqëson votën e prishtinasve nga radhët e VV-së.
Retkoceri pret “superparaqitje” të ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Me 10 mijë doza drogë qenka kapur në Shqipëri, Besnik Mujeci, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, në vlerë prej 400 mijë euro. Është jashtëzakonisht shqetësuese kush e përfaqëson votën e prishtinasve nga radhët e VV-së. Dejona Mihali besoj ka për të thënë diçka edhe për këtë. E presim edhe një supërparaqitje të Xhelal Sveçlës. Në Kosovë, besnikët e Vetëvendosjes nuk zihen kurrë, sepse pushteti i mbron. Ata tregtojnë lirshëm dhe rriten e bëhen dilerë të mëdhenj, si ky asamblist, saqë i kalojnë edhe kufijtë. Besoj, Besniku sot i ka bërë krenarë të gjithë Lëvizjen e tij, por jo edhe ata qytetarë të cilët, fatkeqësisht, ia kanë besuar votën!”, shkruan ai.
Besnik Mujeci u arrestua për trafikim të drogës të llojit ekstazi MDMA.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka dhënë detaje për operacionin e koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal që trafikonte nga Kosova në Shqipëri dhe shpërndante lëndë narkotike.
Në pranga ranë pesë persona, dy prej të cilëve shqiptarë të Kosovës ndërsa u sekuestruan 11 300 tableta ekstazi MDMA me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën e drogës.
Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ato transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare.