Dhjetë ditë pas arratisjes së ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, nuk ka asnjë përgjigje se ku ndodhet dhe kur do të sillet në vend. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare, sërish i bëri thirrje Grubit që të kthehet në vend, duke theksuar se duhet të përballet me drejtësinë. Po ashtu Toshkovski ka thënë se përveç policit që ka bërë gabim kardinal dhe e ka lënë Grubin të largohet me veturë diplomatike nga vendi, po bëhet edhe hetim për të parë nëse dikush e ka ndihmuar.
“Po hetohet nëse është bërë gabim pa dashje apo e gjithë kjo ka ndodhur qëllimisht dhe e organizuar. Telefonat celularë janë siguruar, provat e tjera materiale janë siguruar dhe Prokuroria Publike po koordinon hetim të plotë në këtë fushë, në mënyrë që sa më shpejt ta konstatojmë gjendjen dhe do e zbardhim këtë fakt në publik mbi nëse ka qenë arratisje e organizuar ose thjesht gabim i paqëllimshëm nga një punonjës policie”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Për LSDM-në, fajtor për arratisjen e Grubit është VMRO-DPMNE. Nga aty thonë se ikja e Grubit është mesazh për mosfunksionimin e shtetit.
“Për arratisjen e Artan Grubit, kemi situatë që nxjerr në pah dy përfundime të mundshme, respektivfisht supozime. E para është se shteti, pra institucionet e sistemit, kanë dështuar plotësisht. Supozimi i dytë është se kemi arratisje të dakorduar, pra në bazë të një lloj marrëveshjeje, Artan Grubi është lejuar të largohet nga vendi. E treta nuk mund të jetë”, tha Mitko Trajçuleski, deputet i LSDM-së.
Fillimisht u spekulua se Grubi ishte në Kosovë, më pas në Shqipëri, por për momentin nuk ka deklaratë zyrtare nga MPB-ja se ku ndodhet ish-zëvendëskryeministri, për të cilin është lëshuar fletarrest ndërkombëtar. Grubi është i dyshuari i dytë për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, për të cilat dje kryeministri Mickoski tha se janë shumë më shumë se tetë milionë euro siç ishte raportuar më parë. Përveç Grubit, i dyshuari kryesor në këtë rast është edhe ish-drejtori i lotarisë, Përparim Bajrami, i cili po ashtu nuk ndodhet në vend, avokati i të cilit tha se nuk është në arrati, por disa muaj më parë është larguar nga Maqedonia. /Alsat.mk
Burimi: alfax.mk