Më 9 Prill 1999 u zhvillua Beteja e Koshares ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asaj jugosllave.
Pjesë e kësaj beteje ishte edhe ish-ministri i Mbrojtjes Anton Quni, njëherazi edhe ish-komandant i njësisë “Delta” në Koshare, bashkëluftëtar me Agim Ramadanin, Sali Çekun dhe Rrustem Berishën.
Së fundmi, ish-komandanti në Koshare Anton Quni në një intervistë për “Bota sot” ka rrëfyer rreth kësaj beteje, me ç’rast kujton disa nga momentet dhe vlerësimet për disa nga ngjarjet kryesore. Sipas tij, lufta në Koshare, nuk ishte privilegj, por përgjegjësi.
Quni potencoi se edhe pas kaq shumë vitesh kujtimet e kësaj lufte ende janë freskëta, dhe si momentë më të vështirë, ai e thekson kur “Shoku hesht në radiolidhje, të kaplon frika për më të keqen”, gjë e cila kishte ndodhur edhe me Ramadanin, Çekun e shumë të tjerë.
Si dy momente më kulminante të kësaj lufte, Quni e thekson konfirmimin e fitores me ngritjen e flamurit në kazermën jugosllave, dhe mbarimin e luftës më 12 qershor.
Gjithashtu, ai flet edhe për vdekjen e heronjve, siç ishte Ramadani dhe Çeku, kështu duke theksuar se humbja e tyre nuk ishte aspak e përballueshme, dhe se pas vdekjes së Ramadanit, si udhëheqës i kësaj beteje, ai thekson se gjërat shkonin më me vështirësi.
Ndërsa, ndër planet që kishin gjatë kësaj lufte, ishte dëbimi i forcave serbe jashtë kufijve të Kosovës, kurse qytetet e para që i kishin në plan që të liroheshin ishin Gjakova, Deçani dhe Peja.
Duke e pasur parasysh rolin e ushtarakut Anton Qunit në Kuvend, si ish-ministër i Mbrojtës, ai për fund i komentoi edhe sulmet në veri ndaj policisë së Kosovës, me ç’ras theksoi: “Ne nuk duhet të dekurajohemi, por duhet dëshmuar se institucionet tona me veprimet e tyre janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim”.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Kanë kaluar 23 vite nga fillimi i luftës në Koshare, si e kujtoni sot, dhe si e vlerësoni?
Anton Quni: Për kundër asaj që kanë kaluar 23 vite, kujtimet janë ende të freskëta. Çdo bisedë, ngjarje, vështirësi, humbje apo fitore, kanë lënë gjurmë të thella. Janë momente që të bëjnë krenar për forcën, guximin, por edhe fisnikërinë e bashkëluftëtarëve me motivim të fortë, etjen për liri, deri atëherë, vajzat dhe djemtë e zakonshëm u shndërruan në luftëtar profesional dhe me shpirtin luftarak e thyen mitin e ushtrisë së Serbisë.
“Bota sot”: A mund të na përmendni disa nga momentet më të vështira të kësaj beteje?
Anton Quni: Janë të shumta momentet e vështira, thuajse të panumërta. Çdo orë ishte e vështirë, por me kohë pajtohesh me realitetin e luftës. Malet, hendeqet, strehimoret, qielli i hapur të bëhen shtëpi, ndërsa bashkëluftëtarët të bëhen vëllezër. I mëson teknikat si ta përballosh të ftohtin, si duhet të strehohesh dhe si duhet të jetosh në vendet malore. E dinë saktë për çdo predhë të shkrepur ku do të godet. Plagët e lehta i fashon vet dhe mësohesh ta pastrosh ujin për pije. Kur shoku hesht në radiolidhje të kaplon frika për më të keqen. Kështu ndodhi për Agim Ramadanin, Sali Çekun, Abaz Thaçin, XhemajlFetahun e shumë të tjerë. Ditët, javët dhe muajt në ambiente të tilla, sa do që janë të vrazhdëta dhe të egra të bëjnë më të fortë që të qëndrosh jo vetëm për vetën, por edhe për shokun dhe nderin e kombit.
“Bota sot”: Cili ishte momenti më kulminant sipas jush? Thyerja e kufirit me 9 prill, apo kishte ndonjë tjetër?
Anton Quni: Urdhri për zjarr, marshimet e njësive, sulmet me breshëri, detonimet e 9 Prillit ishin madhështia e fillimit të sulmit. Më 10 prill, ngritja e Flamurit Kombëtar në shtizën e kazermës jugosllave ishte konfirmim i fitores sonë të plotë. 9 Qershori, dita kur u njoftuam se lufta mbaroi dhe kur forcat serbe filluan tërheqjen nga Kosova, ishte dita më e bukur, dita më e ëndërruar me dekada.
“Bota sot”: Si e përshkruani ndenjën e të qenurit prijës i ushtarëve?
Anton Quni: Të komandosh një njësi nuk është privilegj, por përgjegjësi. Bëhesh përgjegjës për jetën e bashkëluftëtarëve dhe suksesin e operacionit luftarak. Ndërtimi i besimit është garantuesi më i fort i suksesit.
“Bota sot”: Që në ditën e tretë të luftimeve u vra Agim Ramadani. Si e vlerësonit atëherë dhe sot, a do të ishte edhe Kosova ndryshe?
Anton Quni: Vrasjen e Agimit e përjetuam shumë rëndë, jo vetëm shpirtërisht, por edhe në aspektin operacional. Që nga ai moment gjërat shkonin me vështirësi.
Padyshim se me Agim Ramadanin, Sali Çekun, AbazThaqin, XhemajlFetahaj, etj, sot Kosova do të ishte më e fuqishme në çdo fushë: politike, ekonomike, ushtarake, etj.
“Bota sot”: A është e vërtetë se ai ka vdekur me planin në xhep për çlirimin e Gjakovës?
Anton Quni: Me plan parashihej dëbimi i forcave serbe jashtë kufijve të Kosovës. Qytetet e para që do të liroheshin ishin Gjakova, Deçani dhe Peja.
Agimi e kishte dëshirë të flakët kthimin dhe çlirimin e vendlindjes, Zhegrës.
“Bota sot”: Sa ishte sfiduese vrasja e luftëtarëve siç ishin heronjtë Agim Ramadani dhe Salih Çeku?
Anton Quni: Nuk ishte aspak e lehtë të përballohej humbja e Agimit dhe Salihit. Ata ishin hartuesit e planit operacional për rrënimin e kufirit. Në të njëjtën kohë ishin edhe zbatuesit e planit që do të thotë se udhëhiqnin me njësitë në sulm, vëzhgim dhe infiltrim. Koordinonin manovrën me zjarrin gjithnjë nga pozicionet me rrezikshmëri të lartë. Kur njësitë humbin komandantët e shquar, ata kanë nevojë për mbështetje të veçantë që mos të humbin motivimin dhe forcën. Sado që ne humbëm në kohë dhe riorganizim, arritëm shumë shpejt ta marrim vetën nga goditjet e përjetuara.
“Bota sot”: A mendoni se një obduksion i trupave të këtyre heronjve mund të ndihmonte në heqjen e dilemave të parashtruara se ata ishin viktima të vrasjeve tinëzare politike?
Anton Quni: Kosharja ishte arenë e luftimeve të njësive të UÇK-së kundër forcave ushtarake të Serbisë, e jo luftë e shqiptarëve në mes veti.
Ne, bashkëluftëtarët e Agim Ramadanit dhe Sali Çekut, dëshmitar në Betejën e Koshares, në asnjë moment nuk kemi krijuar dyshime për natyrën e vrasjes. Dëshmitë e bashkëluftëtarëve e largojnë çdo mundësi të manipulimit mbi të vërtetën e rënies heroike të Agimit dhe Saliut kundër forcave të Serbisë.Çdo paraqitje ndryshe është e motivuar nga padituria apo me porosi për nxitje të vëllavrasjes.
Jam më se i sigurt se edhe obduksioni do të rezultonte me konstatimin e plagëve hyrëse dhe dalëse, të cilat do të vërtetonin se komandantët u vranë në luftimet e afërta me forcat serbe.
“Bota sot”: A do ta pastrojë luftën e UÇK-së gjykata speciale, ku tashmë janë duke u gjykuar disa figura të luftës?
Anton Quni: Jam më se i bindur se në Gjykatën Speciale do të vërtetohet se akuza e eurodeputetitMarty për kinse transplatimin e organeve është e fabrikuar. Me këtë UÇK-ja do të lirohet nga çdo përpjekje për kriminalizimin e saj.
“Bota sot”: A është krijuar gjykata speciale si rezultat i pengimit apo dështimit të ofrimit të drejtësisë, edhe për vrasjet politike?
Anton Quni: Është fakt se organet e hetuesisë dhe drejtësisë së Kosovës nuk e patën guximin t’i trajtojnë vrasjet me motive politike. Po ashtu reagimi ndaj akuzave të DikMartyt ishte i zbehtë. Dhe në momentin kur ne e kuptuam se do të themelohet një gjykatë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, ku do të kenë qasje aleatët e Serbisë: Rusia dhe Kina pranuam si zgjidhje më pak të dëmshme, themelimin e dhomave të specializuara.
“Bota sot”: Si i vlerësoni sulmet në veri ndaj policisë së Kosovës, çfarë duhet të bëjë Kosova në aspektin e sigurisë, përveç asaj që pret nga prania e KFOR-it?
Anton Quni: Çdo përpjekje e jona për ta luftuar krimin për të siguruar rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës sfidohet nga autoritetet e Beogradit, me arsyetimin se operacionet e Policisë së Kosovës janë të drejtuara kundër komunitetit serb.
Ne nuk duhet të dekurajohemi, por përkundrazi, me profesionalizëm të lartë, ngritje të kapaciteteve të sigurisë, bashkëkoordinim të mirë me mekanizmat ndërkombëtarë, duhet dëshmuar se institucionet tona me veprimet e tyre janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.
“Bota sot”: Ju keni qenë ministër i Mbrojtjes, dhe po ashtu jeni një ushtarak i njohur me përvojën e luftës në Koshare, çfarë armatimi sugjeroni duke pasur parasysh buxhetin shtetëror dhe fondin e sigurisë të krijuar së voni?
Anton Quni: Si ministër i Mbrojtjes e kisha mundësinë që nga afër të njihem me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, i cili i siguron FSK-së që brenda viteve t’i arrijë kapacitetet e plota operacionale. Në këtë plan ndër të tjera është e paraparë edhe përvetësimi i teknologjisë ushtarake më të sofistikuar, i cili do të jetë në harmoni me nevojat dhe mundësitë financiare.