Analisti Daut Dauti: ASH-ja u dogj, tash Besa don të digjet me VMRO-në!?

Le t’më falin opozitarët shqiptarë të Maqedonisë, që i marr si shembull, sepse nuk janë ata të parët në këtë rrëfim. Para tyre janë sprovuar edhe të tjera subjekte (PL, LD, e në Shqipëri LSI, partia e Vangjel Dules kurse në Kosovë, të gjithë me të gjithë…), ndaj s’ka askush të drejtë ta drejtojë gishtin vetëm drejt tyre. Po, ama, meqë ne trajtojmë gjërat që janë më aktuale, është e logjikshme të veçojmë ato më të rejat.

Një lëvizje interesante ka ndodhur të mërkurën, kur sa paralajmëroi VMRO-ja se do ta bllokojë Kuvendin, që ta detyrojë shumicën parlamentare për të pranuar dialog për zgjedhjet e parakohshme, asaj iu bashkëngjit menjëherë Lëvizja Besa, ndërkaq u përmbajt, të paktën në hapin e parë, Aleanca për Shqiptarët. Sipas fjalëve të cituara në media të deputetes Ilire Dauti, la të kuptohet se Aleanca ka strategjinë e vet të veprimit, ndryshe nga ajo që ka paralajmëruar VMRO-ja.

Në politikë nuk ka dashuri por ka interes. Dhe sigurisht, fakti që Lëvizja Besa iu bashkëngjit VMRO-së, është një metodë e sprovuar e realizimit të interesit, sepse kjo parti, në zgjedhjet e kaluara parlamentare, pikërisht duke bashkëpunuar me LSDM-në, në listën e saj, siguroi katër vende deputetësh. Pas prishjes së jaranisë me partinë e Zaevit, në një lëvizje të papritur për t’iu bashkangjitur opozitës, Lëvizja Besa shansin për të mbetur në skenën politike e shihte te koalicionimi me VMRO-në. Po pse atëherë u përmbajt Aleanca? Ata nuk e dinë këtë gjë? Problemi është se kur të të djegë tëmbli, i fryn kosit, e Aleancën “e dogji tëmbli” pikërisht nga bashkëpunimi koalicionist me VMRO-në në zgjedhjet e fundit lokale, bashkë me Alternativën, kur elektorati iu përgjysmua! Këtë si duket nuk e ka parë Lëvizja Besa, ndaj dhe ngutet të zë vend në strehën e VMRO-së, e sido t’i dalë matematika, është për t’u parë.

Nga përvoja e zgjedhjeve lokale, mund të nxirret konkluzioni se votuesit shqiptarë ende nuk janë të gatshëm ta pranojnë si fakt se VMRO-ja “ka ndryshuar” me Hristijan Mickovskin. Ok, ka shumë deklarata që japin disa porosi tjera nga ato që janë “tipike” VMRO-iste, por megjithë këto, ajo urtia popullore se “ujku qimen ndërron, e tabihatin jo”, vazhdon të jetë një hendikep bashkë me disa veprime konkrete. Disa bashkëpunime lokale ose dhe për shumicë të re parlamentare me partinë e ekstremit të majtë të Apasievit, shqiptarët i bën më të rezervuar se sa të ekzaltohen si Lëvizjes Besa, dhe kjo gjithsesi mund t’ia prishë matematikën kësaj partie shqiptare. Prandaj, vetëpërmbatja ose taktizimi i Aleancës që të mos e ndjekë VMRO-në verbtas në çdo hap siç bëri partia e Bilall Kasamit, mund të jetë rezultat i mësimit të marrë nga pësimi i mëparshëm…

(Nga kolumna në gazetën “Koha”)

Story i mëparshëm

Hapa konkret për zgjidhje të kontestit në dy javët e ardhshme, paralajmëroi Osmani

Story i radhës

Lëvizja BESA zgjodhi kryesinë qendrore, ja emrat

Të fundit nga