Analistët: Rusia në “pauzë operacionale” në Ukrainë

min lexim

Analistët thonë se ka gjasa që Rusia të ketë ulur përkohësisht ritmin e ofensivës së saj në Ukrainë, në një përpjekje për të riorganizuar forcat për një sulm të ri.

Sipas Institutit të Studimeve mbi Luftën, me bazë në Uashington, të mërkurën, për herë të parë në 133 ditë luftë, forcat ruse nuk shënuan asnjë përparim territorial në Ukrainë. Grupi i ekspertëve sugjeroi se Moska mund të jetë duke kryer një ‘pauzë operacionale’, por se kjo nuk nënkupton një “ndërprerje të plotë të veprimeve ushtarake”.

“Forcat ruse ka të ngjarë të kufizohen në veprime ushtarake relativisht të vogla, ndërsa përpiqen të përgatisin terrenin për operacione më të mëdha sulmuese, e të rifitojnë fuqinë luftarake të nevojshme për të tentuar operacione më ambicioze”, thanë përfaqësuesit e institutit.

Në një deklaratë të enjten Ministria ruse e Mbrojtjes dukej se konfirmonte këtë vlerësim. Moska tha se njësive ushtarake ruse të përfshira në luftime në Ukrainë, u ishte dhënë kohë për të pushuar.

“Repartet që kryen misione luftarake, gjatë operacionit special ushtarak, po marrin veten në mënyrë që të rifitojnë aftësitë e tyre luftarake”, thuhej në deklaratën e cituar nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Tass”.

Ndërkohë në lindje të Ukrainës bormbardimet me artileri vazhdojnë. Zyrtarët ukrainas njoftuan se të paktën nëntë civilë janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit.

Zyra e presidentit të Ukrainës njoftoi të enjten se në qytetet dhe fshatrat, që shtrihen në shtatë rajone të Ukrainës, një ditë më parë ka patur sulme me artileri. Shumica e vdekjeve mes popullatës civilë ka ndodhur në provincën Donetsk, ku luftimet vazhdojnë. Shtatë civilë u vranë, mes tyre një fëmijë, njoftuan autoritetet ukrainase.

Dhjetë qytete e fshatra u goditën me artileri në Donetsk dhe si pasojë u shkatërruan 35 ndërtesa, mes tyre një shkollë, një kolegj profesional dhe një spital.

Donetsku është pjesë e Donbasit, një rajon industrial kryesisht rusisht-folës ku janë të përqendruar ushtarët më me përvojë të Ukrainës. Separatistët pro-rusë kanë luftuar kundër forcave ukrainase dhe kanë kontrolluar pjesën më të madhe të Donbasit për tetë vjet./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Laporta e falënderon Lewandowskin, në pritje të përgjigjes nga Bayerni

Story i radhës

Kabashi-Ramaj: Strategjia e Sigurisë Kombëtare të jetë e qasshme për publikun para se të shkojë në Kuvend

Të fundit nga