Ana magjike e njeriut

November 1, 2022
min lexim

Aurora borealis. Rrufeja sferike. Një yll kometë. Shiu pas një thatësire të gjatë. Gjahtarë që mendojnë se janë të padukshëm. Shërime me psalme “magjikë”. Një formulë në një sarkofag që ndihmon të vdekurin të zgjohet në botën e përtejme. Të gjitha situata që bëjnë pjesë në botën e magjisë, lindur si magjepsje, frikë, përpara të panjohurës dhe fenomeneve spektakolarë dhe në dukje mrekulli të natyrës, tentativë njerëzore për të ndryshuar forcat natyrore në fushë dhe të ardhmen e njerëzve. Një vizion sigurisht jo shkencor (edhe pse do të ketë një rol në lindjen e shkencës), por gjithësesi gjithmonë një mënyrë për të reaguar, për të mos iu nënshtruar në mënyrë pasive botës së jashtme.

Kurë në mendje

Magjia ka shërbyer shpesh herë, në mos për të shpjeguar apo kontrolluar natyrën, të paktën për të zbutur ankthin përballë fenomeneve socialë dhe natyrorë vështirësisht të menaxhueshëm dhe kuptueshëm. Eshtë një mënyrë për të parë. Eshtë një mënyrë për të parë realitetin e zakonshëm për të gjithë njerëzimin. “Edhe pse në shumë kultura vetë termi nuk ekziston”, shpjegon Profesor Attilio Mastrocinque, historian në universitetin e Udines, “aspektet magjikë janë të integruar zakonisht në ritet fetarë, në kurat shëruese të vendasve. Në themel mes vizionit magjik dhe atij fetar ka shumë afërsi. Jo më kot shpesh herë përcaktojmë si “magji” ritet dhe besimet në mrekullitë që karakterizojnë besimet e të tjerëve”.

Magjia ka patur për shumë kohë një funksion praktik. Në lashtësi ishte e bashkuar me shkencën. “Koncepti i magjisë, në sensin negativ, vjen nga grekët. Më pas u mor nga romakët, nga krishtërimi dhe nga iluminizmi francez”, shpjegon Mastrocinque. “Magjia” në fakt është një fjalë me origjinë greke: “mag-ët” ishin priftërinj persë të Zoroastros, ekspertë në parashikinmin e të ardhmes me anë të yjeve. Përveçse një mënyrë për të parë realitetin, magjia përgjatë historisë është konkretizuar në një pafundësi ritesh, praktikash, besimesh dhe metodash një pjesë e të cilave janë shumë të përhapura edhe sot. Sot magjia mund të jetë “e bardhë”, kur përdoret për t’i bërë mirë dikujt ose “e zezë”, nëse qëllimi është të dëmtojë. Eshtë tentativa për të transformuar gjërat dhe ngjarjet duke përdorur energji të supozuara, në forma të ndryshme. Magjia “e kontaktit” përdor ilaçe magjikë dhe filtra. Ajo e “mallkimit” përdor fjalë dhe formula. “Simpatikja” pamje dhe objekte (kukulla etj) që përfaqësojnë personin që duhet mbrojtur apo dëmtuar. Hyjnizimi është një tjetër formë e magjisë. Në fund është magjia e “ngjashmërisë”: imitohet një kafshë për të favorizuar gjahun.

Kafshë-shpirtëra

Ritualet magjikë kanë ekzistuar që mijëra vjet më parë. Përshembull, pikturat në mure të Lascaux në Francë apo të Altamiras në Spanjë shfaqin kafshë – shpirtëra të pikturuara nga shamanë në gjendje trance dhe më pas të riprodhuara po nga ata vetë për të nxitur gjahun. Në qytetërimet e parë, ishte e përhapur bindja magjike që përmes yjeve mund të parashikohej e ardhmja. E zhvilluan fillimisht Sumerët dhe më pas Babilonianët, ekspertë si persët. Gjithmonë në Mesopotami, përdoreshin varëse për të neutralizuar demonët dhe fjalë magjike për të kontrolluar shpirtërat. Magjistari, për t’u mbrojtur nga forcat negative, bënte një rreth brenda të cilit operonte.

Në Egjipt, magjia ishte e lidhur me botën e përtejme. Libri i të vdekurve që përmbledh përshkrimet e formulave të shkruajtura në sarkofagë dhe mure të varreve egjiptianë ishte quajtur fillimisht Fjalë magjike për daljen e shpirtit drejt dritës së plotë të ditës. Për egjiptianët, kur një varr ishte i mbyllur, figura dhe objekte si statuja shërbëtorësh, fshatarë, varka dhe karroca, bëheshin me shpirt. Në disa raste të afërmit hiqnin piktogramët e gjarpërinjve nga hieroglifet për të mos lejuar që ai që ishte në varr të dilte “i vdekur”.

Në luftë me arsyen

Edhe në Greqinë e lashtë ishte e përhapur magjia, por u zhvillua edhe një formë që i kundërvihej asaj. Për shembull Hipokrati, mjeku që jetoi në periudhën mes shekujve V dhe IV para Krishtit i kritikonte magjistarët sharlatanë. “Që në shekullin VI para Krishtit”, thotë Mastrocinque “zhvilloheshin procese penalë kundër grave që përdornin ilaçe magjikë për të manipuluar burrat e tyre”. Dyshimi se ka përdorur magjinë ekziston edhe për Jezusin. Në bazë të gjetjes së një dorëshkrimi të lashtë në malin Athos në Greqi, pastori protestant Smith Morton, autor i librit Jezusi Magjistar ka hedhur hipotezën që Mesia ka përdorur teknika të magjisë të përftuara nga sekti hebraik i Essenëve.

Procese politikë

Në Romë, në shekullin V para Krishtit kishte ligje kundër incantamenta-ve, formula që këndoheshin për të lehtësuar vjedhjet e grabitjet. Diktatori Lucio Cornelio Silla (shekulli II para Krishtit) nxorri një ligj kundër helmimeve. “Perandori August (shekulli I para Krishtit)”, thotë Mastrocinque “e ndaloi astrologjinë, e konsideruar praktikë që duhej zhdukur: parashikimi i të ardhmes interferonte me politikën. Ata që kapeshin, persekutoheshin”. Kishte dënime të skllevërve që akuzoheshin se i mbanin nën grusht padronët përmes praktikave magjike. Diokleciani, në vitin 285 nxorri një ligj kundër magjisë, përveç asaj agrare dhe mjekësore. Të krishterët gnostikë akuzoheshin sepse studionin Zoroastrën dhe orakujt persë. Pavarësisht represionit nuk pushuan lajmet për hyjnizime, talismanë, vrasje në distancë, statuja folëse etj.

Magjia u rikthye në modë në kulmin e Humanizmit, atëherë kur filozofi Marsilio Ficino përktheu Corpus Hermeticum të orakujve kaldaikë dhe të himneve orfikë, grup veprash që i atribuoheshin Zoroastrës, Orfeut dhe Hermes Trimegistos (figurë që bashkoi dijet e perëndisë greke Hermes me ato të atij egjiptian Toth).

Agrippa von Nettescheim, mjek, filozof dhe alkimist gjerman, Giovanni Battista della Porta dhe alkimisti Paracelso i konsideronin të afërta shkencën eksperimentuese dhe magjinë. Nxjerrja e floririt nga hekuri, manipulimi i materies ishin shpresat e asaj kohe. Edhe arabët e përhapën magjinë me vepra si Picatrix, e njohur që në shekullin XI. Por në shekullin XVII, para Iluminizmit, nisi edhe rënia e magjisë në botën perëndimore. / Bota.al

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Finlanda i kërkon Turqisë dhe Hungarisë miratimin e protokolleve për anëtarësim në NATO

Story i radhës

Barcelona e sheh Mikel Artetan si trajner të saj të ardhshëm

Të fundit nga

ShkoLartë