Ambasadori i SHBA në Serbi por edhe ndonjë zyrtar tjetër i SHBA-ve, së fundmi i kanë shtuar deklaratat në përkrahje të “Open Balkans”.
Ambasadori i SHBA në Serbi, z. Hill deklaroi që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij projekti.
Kur Kosova ishte në flakë, dhe po punonte e luftonte për pavarësi, për shkëputje përgjithmonë nga Serbia e Jugosllavia, pushtues e gjenocidalë kundër shqiptarëve e Kosovës, ambasadori e ndonjë tjetër kërkonin që Kosova të pranojë një autonomi (substanciale!).
Atëkohë, ky vend, Kosova, kishte burra e gra që të dëshmonin e argumentonin se përveç pavarësisë së Kosovës nuk kishte zgjidhje tjetër. Dhe SHBA e pranoi dhe kontribuoi fuqishëm në pavarësinë e vendit tonë, si edhe aleatë tjerë!
Tani kur ka deklarata që edhe Kosova të hyjë në “Open Balkans”, nuk po duket që ka as burra as gra, të dëshmojnë se “Open Balkans” është një projekt i vjetër ruso-serb që tani ka zënë të dalë në sipërfaqe për një “Jugosllavi të tretë” dhe pak më tepër, për një “Ballkani” ose “Botë serbe”, për një dominim të ri serb në Ballkan, si shkaktarja kryesore e të gjitha luftërave dhe konfliketeve të deritanishme dhe projekt me pretendime që kjo pjesë e Evropës Jug-Lindore të shkëputet nga perëndimi. Për të mos lënë fije dyshimi për këtë qëllim, përveç tjerash, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Beogradi u bëri thirrje edhe vendeve anëtare të BE-së që të hyjnë në “Open Balkans”, pra të dalin nga BE-ja.
Përkrahja e këtij projekti nga Kryeministri i Shqipërisë, duke tejkaluar edhe politikën e diktatorit Enver Hoxha për bashkimin e Shqipërisë me Serbinë (Jugosllavinë), po lë një përshtypje se shqiptarët edhe mund të pajtohen me një pushtim të ri serb, i kamufluar me “ekonomi të lirë”, “lëvizje të lirë”, etj.etj.
“Open Balkans” është uvertyra e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor, me luftë konvencionale ose forma tjera të përplasjes së shteteve e popujve në këtë pjesë të Evropës.
Nëse ekziston ndonjë ndryshim në qëllimin historik dhe politikat e Serbisë ndaj Kosovës e shqiptarëve, le të argumentojë kushdo, qoftë edhe me një akt të vetëm!
Z. Hill e din si edhe të gjithë ne, se atë ditë (1 shtator, 2022) kur Edi Rama e Vuçiq, në Beograd po shijonin harbutërinë e tyre me verëra “ballkanase”, Vuçiq po kërcënonte duke vendosë armatimin ushtarak dhe tërë arsenalin luftarak përgjatë gjithë kufirit me Kosovën. Për ruajtje të paqes! Po pra!
Kosovës nuk i duhet kurrë dhe asnjëherë një “Open Balkans”, qoftë me njohje apo pa njohje nga Serbia.
Është model i vjetër të cilin SHBA dhe tërë bota e din se si ka përfunduar, ashtu siç do të dështojë edhe ky projekt tani, prandaj kjo edhe mund të jetë arsyeja që SHBA, anipse zyrtarë të saj deklarojnë përkrahje për “Open Balkans”, nuk e marrin dot rolin e garantit të këtij projekti.
“Ballkani, ballkanasve” kjo ishte dhe mbetet deviza e dominimit dhe pushtimit serb ndaj shteteve tjera dhe largimit të tyre nga perëndimi, e lansuar nga njëri prej projektuesve më të mëdhenj të “Serbisë së madhe”, Ivo Andriq. Tani e përkrahur fort nga “leberali”, Soros!
“Lazdrimi” i Serbisë si dikur “lazdrimi”i Jugosllavisë (e dominuar nga Serbia), nga SHBA dhe BE, duke qenë hapur proruse, edhe dje, edhe sot edhe nesër, duke qenë kërcënuese e vazhdueshme e konflikteve të reja, mund të hakmerret keq dhe të dëmtojë rëndë popujt e Ballkanit, në veçanti Kosovën e shqiptarët.
Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të lejojnë e të pranojnë që të sakrifikohen edhe njëherë për hirë të balanceve të askujt dhe as të stabilitetit të rrejshëm.
Kosovës, në radhë të parë i duhen liderë të mirëfilltë dhe përkrahje e mirëfillt nga aleatët në forcimin e shtetësisë së saj, në zgjidhjen e problemeve me Serbinë mbi baza të parimeve perëndimore midis dy shteteve si dhe procesi i përshpejtuar i anëtarësimit në NATO dhe integrimi evropian.