Masimiliano Alegri mendon se problemi i futbollit italian është se të rinjtë digjen shumë shpejt. Ai mendon se u kërkohet shumë që pas ndeshjeve të para që bëjnë në futbollin profesionist e për këtë arsye duhet më shumë kujdes në këtë aspekt, pasi po humben futbollistë në mënyrë të këtillë.
“Në Itali prej disa vitesh ka një tendencë të cilësohen kampionë të rinjtë që pas 2-3 ndeshjesh, por kështu po digjen etapat.
Në moshën 20-vjeçarë, një futbollist nuk mund të ketë maturinë e një 28-vjeçari”, tha Alegri në një aktivitet në një universitet ku ishte sot i ftuar si lektor.
Ai është ngacmuar nga personat në sallë se cilat kujtonte si sukseset më të bukura të karrierës dhe ka çuditur paksa, duke mos kujtuar ato me Juventusin.
“Të gjithë fitoret janë të bukura, nuk mund të zgjedh. Por ato që kujtoj më shumë janë kampionati i Serisë C me Sasuolon si dhe titulli i parë në Serinë A, me Milanin. Ndërsa humbjet janë të gjitha të shëmtuara, disa më shumë pasi të mbetet dyshimi nëse mund të kishe bërë diçka më mirë”, tha trajneri i Juventusit.