Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp me kryetaren e Komitetit për Maternitet të Sigurt, Irena Aleksioska Papestiev, dhe shefin e Zyrës së OBSH-së në Maqedoni, Akim Ali, si dhe me përfaqësues të UNICEF-it dhe UNFPA-së, prezantuan rezultatet e raportit më të fundit të Grupit ndëragjencior të Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e vdekshmërisë së fëmijëve për vitin 2025.
“Sipas rezultateve të raportit, vendi ynë renditet ndër vendet më të suksesshme në nivel global në uljen e vdekshmërisë neonatale dhe të vdekshmërisë së fëmijëve nën moshën pesëvjeçare, duke u njohur si shembull për zbatim të suksesshëm të politikave shëndetësore të integruara dhe të koordinuara. Në periudhën e kaluar është shënuar përparim i dukshëm, ku shkalla e vdekshmërisë neonatale është ulur për 87 për qind, nga 8,1 në 1,1 për 1.000 lindje të gjalla, ndërsa shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën pesë vjeç është ulur për 75 për qind, nga 11,1 në 2,8 për 1.000 lindje të gjalla. Këto rezultate janë fryt i reformave të vazhdueshme sistemore, i forcimit të koordinimit institucional dhe i partneritetit me organizatat relevante ndërkombëtare, si dhe i zbatimit të masave gjithëpërfshirëse për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor”, theksoi ministri Aliu.
Në këtë drejtim, theksojnë nga MSH, veçanërisht të rëndësishme janë aktivitetet e orientuara drejt forcimit të kujdesit urgjent obstetrik dhe neonatal, rishikimit dhe harmonizimit të protokolleve klinike, përmirësimit të praktikave për reanimimin e të porsalindurve dhe parandalimin e infeksioneve, si dhe përmirësimit të sistemit të transportit mjekësor. Paralelisht, Ministria e Shëndetësisë po zbaton në mënyrë të qëndrueshme masterplanin për kujdesin perinatal 2020–2030, i cili siguron vendosjen e një rrjeti të stratifikuar perinatal, sipas nivelit të rrezikut, dhe mundëson përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.
Ministri Aliu shprehu mirënjohje të sinqertë për organizatat partnere – OBSH, UNICEF dhe UNFPA, si dhe për Komitetin për Maternitet të Sigurt, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, ekspertizën profesionale dhe përkushtimin e përbashkët në përmirësimin e kujdesit shëndetësor për nënat dhe fëmijët.
Burimi: botasot.info


