29 dhjetor – Në strategjinë e re ka më shumë module. Si duhet si shtet të kemi kujdes në sigurinë e rrjeteve tona të internetit, kur jemi në situatë të instalojmë softuerë dhe harduerë në institucione shtetërore. Për të gjitha pjesët lidhur me atë që e përbëjnë teknologjitë komunikuese kemi rekomandime dhe udhëzime që duhet të respektohen nga institucionet, deklaroi sot ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.
Para debatit publik për Draft-versionin e Strategjisë nacionale TIK të Maqedonisë së Veriut 2023 – 2027, që mbahet në Klubin e deputetëve, Aliti deklaroi se ky do të ishte një prej prioriteteve më të mëdha të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës këtë vit.
“Procesi vërtet kaloi përmes një procesi shumë gjithëpërfshirës. Janë të përfshira pothuajse të gjitha institucionet nga të gjitha ministritë, por edhe ekspertë të jashtëm, ekspertë të USAID-it, ekspertë nga Bashkimi Evropian, por, natyrisht, më së shumti punën e kanë bërë ekspertë të MPB-së. Pra, tashmë kemi një draft të finalizuar të draft-strategjisë për TIK 2023-2027, të cilin do ta prezantojmë sot”, tha ai.
Ministri shtoi se drafti përbëhet nga ajo që është finalizuar deri më tani, por, siç tha, presin këshilla dhe fidbek.
“Për shkak faktit që digjitalizimi lidhet me punën e thuajse çdo ministrie, janë të mirëseardhura këshilla edhe prej përfaqësuesve të tyre, por, edhe nga opinioni më i gjerë. Këtu mendoj edhe në organizatat joqeveritare të cilat kanë qenë të kyçura në të gjithë procesin deri më tani”, tha ai.
Në përgjigjen e pyetjes nëse institucionet tona kanë kuadër të mjaftueshëm informatik që mund ta bëjë punën që do të dalë nga Strategjia, ministri u përgjigj se nuk kanë.
“Nuk kanë, është përgjigje e shkurtër. Megjithatë ky problem është edhe në shumë shtete të tjera. Zgjidhja më e mirë për këtë do të ishte krijimi i një agjencia digjitale që do të jetë mbështetje më pas për të gjitha institucionet”, vlerëson ai.
Burimi: zhurnal.mk