Sërish refuzohet, sërish nuk merr përgjigjen që pret prej vitesh për të ndryshuar atë vendim të marrë vite më parë që e la në burg përjetë.
Është Gjykata e Lartë që ka bërë me dije faktin se nuk do të ndryshonte vendimi i dhënë nga Apeli një dekadë më parë, ndërkohë që persona të tjerë me të njëjtat rekorde kriminale, të dënuar me të njëjtat vendime gjykatash kanë mundur jo vetëm të fitojnë lirinë por madje edhe të “rehabilitohen” në punë publike.
Bëhet djalë për Aldo Baren, atë që konsiderohet si kreu i një pre bandave më famëkeqe në vendin tonë, që lindi në vitin e mbrapstë të 1997-s dhe vijoi të sillte gjak dhe viktima për vite e vite me radhë. Ai ka tentuar disa herë të ndryshojë fatin e izolimit të tij të përjetshëm në burg por nuk ka mundur dhe me sa duket edhe kësaj radhe nuk ia ka arritur.
Ndërkohë që hasmëritë në Lushnjë, qytetin ku Aldo Bare ngriti edhe “komisariatin” e vet vijojnë të tronditin opinionin publik, Bare duket se mbetet nga të paktët e të dënuarave për krime të rënda që nuk i ka ndryshuar vendimi me burg të përjetshëm.
VENDIMI I GJYKATËS
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burg të përjetshëm për Aldo Baren, ish-kreun e bandës famëkeqe të Lushnjës. Ky vendim vjen 10 vite pas vendimit të marrë nga gjykata e Apelit në 2012-n. Bare bëri rekurs të vendimit me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë prej vitesh ai vuan dënimin në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin. “U vendos: Lënia në fuqi e vendimit nr.49 datë 16/07/2012 i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë e kishte shqyrtuar një herë çështjen e Bares por ishte Gjykata Kushtetuese ajo që e ktheu për rigjykim për shkak se gjeti shkelje procedurale.
Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006. Ndërsa kërkesa për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë u pranua në fundin e vitit 2009 kur ish kreu i bandës kriminale të Lushnjës mbërriti me “charter” në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të sigurisë.
BANDA E LUSHNJËS
Kush është Alfred Shkurti, ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshjeje me armë zjarri.
Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares, së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash. Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht, Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë personale.
Sipas Prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të “kokës” së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti. Më pas, kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Çiçi, Dritan Vila, Leonard Prifti dhe shumë të rinj të tjerë. Me mbledhjen e këtyre “ushtarëve” përreth “kryetarit”, siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba.
Në fakt, historitë kriminale të asaj kohe e që lidhen me emrin e këtij grupi kriminal, edhe sot e asaj dite dëshmojnë se sa e ashpër ka qenë përplasja mes grupeve në vend e kryesisht në mes të zonave të njëjta, e sidomos kur kishte edhe ndikime politike.
Edhe pse kanë kaluar 25 vite nga ai vit i përgjakshëm, grupi i Aldo Bares vijon të konsiderohet si më të egrit duke kujtuar jo pak herë vrasjen brutale të rivalit dhe hasmit të tij në mes të qytetit dhe në mes të njerëzve.