Albin Kurti në Pragë, dorëzon aplikimin e Kosovës për anëtarësimin në BE

min lexim

Sot në Pragë, kryeministri Albin Kurti i dorëzon edhe zyrtarisht aplikimin e Kosovës për BE, Presidencës Çeke të BE-së.

Sipas axhendës, kryeministri i Republikës së Kosovës me delegacion, do të pritet në Zyrën e Qeverisë së Republikës Çeke, nga ministri për Çështjet Evropiane, ndërsa pas takimeve do të ketë konferencë e përbashkët për media.

Ndryshe dje krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.

Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia. Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë ka marrë statusin e vendit kandidat.
Kosova po ashtu është shteti i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në./

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rëndësia e njohjes në politikë

Story i radhës

Ish-funksionarët e lartë të pushtetit të PDK-së e nisin ditën bashkë

Të fundit nga