Dy ditë më parë u bë një denoncim për një tabletë që konsumohej nga nxënësit si çamçakëz, por që shkaktonte përgjumje.
Sot policia me anë të një njoftim thotë se ka sekuestruar tabletën në një shkollë në Yzberisht dhe nga analizat në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP rezulton se kjo tabletë nuk përmban lëndë psikotrope.
Po sipas analizave kjo tabletë ka në përbërje vitaminë E.
Njoftimi:
Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e premte, më datë 25.10.2024, për një substancë në formë tableti, në ngjyrë jeshile, që dyshohet se përgjum fëmijët, ju njoftojmë se:
Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP, është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E.
Pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat.
Denoncimi
Rasti për çamçakëzin që dyshohet se përgjum nxënësit e shkollave në Tiranë u bë i ditur nga një mësuese e një shkolle 9-vjeçare në Tiranë, e cila lajmëroi prindërit e nxënësve të një klase, pasi ajo kishte vënë re një substancë që ka formën e një çamçakëzi, i cili përdoret nga disa fëmijë.
Mësuesja kishte konstatuar se nga përdorimi i këtij “çamçakëzi” fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje dhe është e dëmshme.
Lidhur me rastin reagoi edhe gazetari Mentor Kikia, i cili përmes një postim në rrjetet sociale tha se ende nuk dihet me saktësi nëse kjo është një substancë narkotike apo jo. Ai u bëri thirrje të gjithëve të bashkëpunojnë me policinë për të zbuluar se çfarë është dhe nga vjen.
Postimi i gazetarit:
Kujdes! Ruani fëmijët nga një “substancë” e tillë
Në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë është identifikuar një substancë në formë të tillë, që ka trajtën e një çamçakëzi, dhe që përdorej nga një/disa nxënës. Mësuesja që e ka identifikuar, është treguar vigjilente dhe ka lajmëruar prindërit e nxënësve të klasës që të bëjnë kujdes, pasi ajo ka vërejtur se nga përdorimi i saj fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje.
Po e bëj këtë publikim për të tërhequr vëmendjen e prindërve në kontrollin që duhet të tregojnë ndaj fëmijëve. Nuk kam informacion nëse kjo është një substancë narkotike apo jo, por padyshim që duhet të jetë e dëmshme në raport me gjendjen që prodhon.
Gjithashtu, duhet doemos një bashkëpunim me policinë për të zbuluar se çfarë është dhe nga vjen.
Shkollat kanë qenë dhe janë të synuara nga shpërndarësit e substancave narkotike, pasi rrjetet e trafikantëve kërkojnë klientelë të re konsumatorësh. Ndërkohë që lista e produkteve narkotike shtohet rregullisht me substanca të reja sintetike.
Kundër këtyre problemeve sociale e kriminale, duhet një bashkëpunim mes shkollës, familjes dhe policisë.
Jeni të lutur ta shpërndani këtë postim, për më shumë informim.
Burimi: botasot.info