Donald dhe Romeo Veshaj kanë qenë qendra e vëmendjes së mediave rozë pas lajmit të bujshëm që mund të dënohen me burg. Mbi to rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje, në një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2013.
Vëllezërit nga Vlora për këtë mund të dënohen deri në 10 vite burg. Mirëpo këtë ngjarje të ndodhur gjatë adoleshencës së Donaldit, në fakt ai e ka rrëfyer vetë gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë e Big Brother Vip. Një detaj ky që del në dritë bashkë me ngjarjen.
Gjatë kohës që ishte brenda shtëpisë së Big Brother Vip, Donaldi rrëfeu një sherr që kishte pasur në gjimnaz, ku dhe kishte përfunduar në polici. Aktori i humorit tregoi se ishte dashuruar me një vajzë. Por kjo vajza ishte në një tjetër lidhje dashurie. Sipas çfarë rrëfen moderatori, ajo ishte ndarë për tu njohur me të.
Mirëpo, nuk mbaron me kaq. Gjatë rrëfimit të tij ai shton se atë e ndiqte një person me makinë dhe kur ky e vuri re u përplas fizikisht me të, por që personi në fjalë e denoncoi dhe Donaldi përfundoi në polici. “Më denoncoi, por nuk ishte diçka serioze, dhashë deklaratën time dhe aq”, tha Donaldi.
Nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje. Por dyshimet lindin për shkak se edhe molla e këtij sherrit ka qenë një vajzë dhe se aktori i humorit ka përfunduar asokohe në polici. Por, në asnjë moment nuk përmend binjakun e tij, Romeon teksa tregon këtë ngjarje. Kjo lë vend për dyshim nëse po flasim për të njëjtin incident me atë çfarë ka dalë së fundmi. Sepse në ngjarjen e bërë publike së fundmi përmendet edhe Romeo Veshaj. Ndërkohë deri më tani nuk kemi asnjë reagim nga vëllezërit Veshaj.
Ju kujtojmë që më 27 maj 2022 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do të shqyrtojë dosjen e dy vëllezërve. Rekursi është bërë nga prokurori i Prokurorisë së Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj i cili kërkon që dy vëllezërit të kryejnë dënimin në burg dhe jo tu pezullohet ashtu si ka vendosur gjykata e Vlorës dhe Gjykata e Apelit.
Dy gjykatat shpallën fajtorë dy vëllezërit për plagosje të rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim dhe i dënuan me 2 vite burg por në bazë të nenit 59 të Kodit Penal urdhëruan pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim.
Ngjarja për të cilën bëhet fjalë ka ndodhur më 7 shkurt të vitit 2013, në afërsi të një shkolle të mesme në lagjen “Pavarësia” të Vlorës.
Aty ka ndodhur një sherr mes disa personave ku është dëmtuar me mjete të forta Arjan L., banues po në këtë lagje.
Donaldi dhe Romeo ishin atëherë nxënës të shkollës së mesme.
Më 6 shkurt 2013 rreth orës 13:30 Arjani ka qenë pranë shkollës “Mustafa Qemal Ataturku” i shoqëruar nga një tjetër në pritje të të fejuarës së tij e cila ishte nxënëse në këtë shkollë.
Në kohën që vajza ka dalë nga shkolla afër saj ka kaluar një makinë duke xhiruar gomat dhe bërë veprime provokuese të cilat kanë shqetësuar Arjanin dhe menjëherë ky i fundit ka ndaluar drejtuesin e mjetit Romea Veshaj me të cilin ka debatuar dhe më pas të dy janë larguar, thuhet në dosjen e siguruar nga Ora News.
Një ditë më vonë, 7 shkurt 2013, rreth orëve të drekës, Arjani ka qenë po në afërsi të shkollës në shoqërinë e tre kushërinjve të vajzës në pritje të kësaj të fundit.
Më pas dy prej tyre janë larguar ndërsa Arjani dhe njëri prej kushërinjve dhe vajza janë nisur në drejtim të një qendre tregtare po në lagje.
“Në këtë moment Arjanin e kanë thirrur një grup personash mes tyre dhe Romeo dhe Donaldi. Fillimisht janë debatuar me Arjanin e më pas e kanë goditur të githë së bashku me sende të forta. Më aktiv në këtë ngjarje kanë qenë dy të pandehurit Romeo dhe Donald Veshaj. Në këtë ngjarje ata janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë të cilët kanë qenë të pranishëm para ngjarjes dhe në vijim” thuhet në dosje.
Personat që kanë qenë në shoqërinë e Arjanit kanë mundësuar shuarjen e konfliktit dhe dërgimin e tij në spitalin civil për dhënien e ndihmës mjekësore.
Në përfundim të hetimeve me vendimin e datës 11 korrik 2013 është vendosur mosfillimi i çështjes penale pasi i dëmtuari nuk është paraqitur për ekzaminim pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë dhe në vijim ka tërhequr ankimin e paraqitur lidhur me ngjarjen.
Por me shkresën e datës 5 gusht 2013 të dërguar nga instituti i Mjekësisë Ligjore rezultonte së dëmtimet e Arjan Lalajt në sherrin e 7 shkurtit ishin klasifikuar si plagosje të rëndë, pasi ato kanë dhënë shëmtim të përhershëm të fytyrës.