Në moshën 63-vjeçare, Demi Moore duket se ka hyrë në një nga kapitujt më të lirë dhe më të qetë të jetës së saj.
Aktorja e njohur ka folur hapur për të qenit beqare, marrëdhënien me moshën dhe mundësinë që një ditë të ketë sërish një partner në krah.
Në një intervistë për Harper’s Bazaar Arabia, Moore pranoi se sot po përjeton një liri që nuk e ka ndier më parë.
“Ky është ndoshta momenti më autonom i jetës sime. Jam një grua beqare. Fëmijët e mi janë rritur.“Tani, jeta ime më përket mua më shumë se kurrë.” u shpreh ajo.
Dhe duket se kjo ndjesi është krejt e re për aktoren. Demi tregoi se ka qenë nënë dhe bashkëshorte që në moshë të re, duke pasur për shumë vite një jetë të ndërtuar rreth familjes dhe përgjegjësive.
“Kam pasur shumë përgjegjësi që shumë e re. Isha nënë shumë e re, kisha një familje dhe një bashkëshort. Nuk e pata atë lloj autonomie që disa njerëz e përjetojnë në vitet e tyre të reja”, rrëfeu ajo.
Sot, megjithatë, Moore po shijon një realitet krejt tjetër.
“Është sikur të kem shijuar një frut që nuk e kam provuar kurrë më parë dhe është kaq i shijshëm. Koha ime është e imja. Nuk është i ndërtuar rreth fëmijëve, familjes apo një partneri”, tha aktorja.
Por kjo nuk do të thotë se Demi e ka mbyllur derën për dashurinë.
“Dhe kjo nuk do të thotë se jam e mbyllur ndaj idesë së një partneriteti. Familja ime është ende gjithçka për mua. Por nuk identifikohem si pjesë e një çifti. Jam në botë thjesht si vetvetja”, u shpreh ajo.
Në vend që ta shohë beqarinë si një mungesë, aktorja duket se po e përjeton si një mundësi për të zbuluar veten nga e para.Por një tjetër deklaratë e saj ka tërhequr vëmendjen. Moore foli hapur edhe për mënyrën se si gratë e përjetojnë moshën dhe kundërshtoi idenë se të plakesh do të thotë të humbasësh diçka.
“Ka pasur një keqkuptim se plakja dhe të bëhesh e vjetër janë e njëjta gjë. Dhe nuk janë. Plakja është një dhuratë e jashtëzakonshme, ndërsa të bëhesh i vjetër është një mentalitet. Të plakesh është një zgjedhje”, deklaroi ajo.
Për Moore, vitet që kalojnë nuk duhet të shihen si një betejë kundër vetes apo pamjes së jashtme. Përkundrazi, ajo beson se vlera e një gruaje nuk përcaktohet nga mënyra se si duket.
“Vlera ime nuk bazohet te pjesa e jashtme e asaj që jam, por te brendësia e asaj që jam bërë”, tha aktorja.
Ajo pranoi gjithashtu se gratë mbi 50 vjeç janë historikisht përballur me ndjesinë e të qenit “të padukshme”, veçanërisht për shkak të mungesës së informacionit dhe përgatitjes për ndryshimet fizike, emocionale dhe shpirtërore që sjell kjo periudhë.
“Ka pasur shumë pak të dhëna për atë që kalojnë gratë në këtë kapitull të jetës. Gjeneratat para meje kishin edhe më pak. Nuk kishte një udhërrëfyes që të përgatiste emocionalisht për atë ndjesinë kur papritur diçka nuk të duket më si vetja”, u shpreh ajo.
Duke folur për mënyrën se si kujdeset për veten, Demi tha se fokusohet te gjërat bazë: gjumi cilësor, ushqimi i shëndetshëm, meditimi dhe krijimi i një ndjesie qetësie, edhe kur udhëton.
Burimi: botasot.info


