Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përgëzuar Policinë e Shtetit për superoperacionin i cili çoi në pranga 233 shpërndarës droge si dhe u bë e mundur goditja e 23 rrjeteve kriminale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla thekson se kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri si dhe ka nënvizuar se siguria e nxënësve në shkolla është prioritet.
“Mirënjohje për secilin prej 3000 forcave të Policisë së Shtetit të angazhuara në superoperacionin që çoi në pranga 233 shpërndarës droge, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave. Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri.
Jam i sigurtë se prindërit dhe familjet shqiptare sot vlerësojnë Policinë e Shtetit, por edhe presin goditje sistematike ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe të forcojë rolin e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”, shkruan Balla.