Pesë persona janë prangosur këtë të diel nga Policia e Lezhës. Katër prej tyre u konstatuan duke drejtuar automjetete në gjendje të dehur, kurse të arrestuarit tjetër iu gjet një armë pa leje në banesë.
Njoftim policie
DVP Lezhë / 5 shtetas të vënë në pranga dhe një armë zjarri e sekuestruar, si rezultat i angazhimit në terren të të gjitha strukturave të Policisë së Lezhës, gjatë fundjavës, për parandalimin e fenomeneve kriminale dhe për goditjen e paligjshmërive.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Intensive”.
Fshihte në banesë një armë zjarri, vihet në pranga poseduesi dhe i sekuestrohet arma.
Evidentohen dhe arrestohen në flagrancë nga Policia Rrugore e Lezhës, 2 drejtues automjetesh që i drejtonin automjetet përkatëse, nën efektin e lëndëve narkotike dhe 2 të tjerë, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës dhe strukturat e tjera të kësaj DVP-je, si rezultat i kontrolleve intensive në terren, 24/7, falë monitorimit të të gjitha akseve rrugore të qarkut me radarë, alkool-, drogë-testues dhe me pajisje të tjera të logjistikës bashkëkohore, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative, kanë finalizuar planin operacional të koduar “Intensive”, si rezultat i të cilit:
është evidentuar dhe goditur një rast tjetër i armëmbajtjes pa leje.
-gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit B. K., 67 vjeç, në Fushë Milot, është gjetur e fshehur një armë zjarri automatik, të cilën ky shtetas e posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve, 67-vjeçari u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit që ai posedonte.
janë arrestuar në flagrancë edhe 4 drejtues mjetesh, konkretisht:
-A. H. 37 vjeç, banues në Kurbin, pasi është konstatuar në aksin rrugor “Thumanë – Lezhë”, duke drejtuar automjetin me shpejtësi tej normave të lejuara. 37-vjeçarit i është bërë shenjë ndalimi nga shërbimet e Policisë Rrugore, por nuk ka ndaluar dhe është larguar me shpejtësi. Menjëherë është organizuar puna policore për kapjen e tij, është bërë i mundur ndalimi i tij në Lezhë dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit. Pas testimit me aparatin drogë-testues AquilaScan, 37 vjeçari ka rezultuar se e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike;
-A. A. 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi është ndaluar për kontroll në aksin rrugor “Laç – Milot”, teksa drejtonte automjetin e tij dhe pas testimit me aparatin drogë-testues AquilaScan, ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike;
-L. Ll. 44 vjeç, banues në Mirditë, pasi është ndaluar në kryqëzimin e Patokut, Kurbin, teksa drejtonte automjetin e tij dhe pas testimit me aparatin alkool-testues Drager, ka rezultuar se drejtonte automjetin në gjëndje të dehur;
– A. Rr. 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi është ndaluar në Milot, teksa drejtonte automjetin e tij dhe pas testimit me aparatin alkool-testues Drager, ka rezultuar se drejtonte automjetin në gjëndje të dehur.
Materialet procedurale iu referuan prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme. Kontrollet, me shërbime në terren dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore, vijojnë 24/7, në çdo aks rrugor të qarkut.