Akademia e Shkencave jep lajmin e mirë, hartimi i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” do të përfundojë në vitin 2023

U mbajt sot takimi me grupin e punës dhe të bashkëpunëtorëve për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” që po hartohet në kuadrin e tri projekteve madhore në albanologji së bashku me “Historinë e shqiptarëve” dhe “Encikopedinë”.

Ishin të pranishëm Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, prof. dr.Valter Memishaj, akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj, akad. asoc. Kristina Jorgaqi, drejtor i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike pranë Akademisë së Shkencave prof.asoc. Malenglen Kasmi, dr. Anila Kananaj, prof. dr.Begzat Aliu, prof.dr. Miço Samara, dr.Juliana Kume, dr. Idriz Merdani, etj. Në lidhje online ishin prof. dr.Dhori Qiriazi, prof. dr. Berton Sulejmani, prof. dr. Ali Jashari, prof.dr. Tomorr Plangarica, prof.dr. Shefkije Islamaj, prof. dr. Anila Omari, prof.dr. Mimoza Priku, etj.

Akad. Gjinushi tha se është bërë një punë e madhe përgatitore e drejtuar nga akad. Jani Thomai dhe prof. dr. Valter Memishaj dhe vlerësoi punën e 11 grupeve bashkëpunuese nga universitetet e institutet e vendit dhe të Kosovës, Maqedonisë së Veriut e më gjerë për përgatitjen e materialeve, të cilat në mars 2022 do të kalojnë në fazën e hartimit të “Fjalorit”.

Akad. Gjinushi tha se ky vit është përcaktues, sepse vetë koha e kërkuar dhe e dakordësuar për hartimin e “Fjalorit” është për një periudhë trevjeçare. Është shfrytëzuar përvoja dhe puna e akumuluar ndër vite nga specialistët dhe institucionet, por edhe dashamirësia e atyre që u përfshinë, që krijoi mundësinë për të lënë një periudhë relativisht të shkurtuar për realizimin e botimin e veprës, për të cilën Akademia e Shkencave luan rolin e koordinatorit dhe të buxhetimit të saj.

Akad. Gjinushi tha se grupi i autorëve e bashkëpunëtorëve po bën një punë të mirë, në të janë përfshirë specialistët më të mirë në fushat përkatëse, si nga departamentet universitare ashtu dhe nga institutet në Shqipëri e Kosovë. Përfshirja e institucioneve më të kualifikuara të fushës janë garanci për kryerjen e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme siç është “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”.

Faza e akumulimit është kryer dhe mbetet faza e materializimit të produktit.

krijuar kushtet e punës që “Fjalori” të hartohet si një proces i pandërprerë dhe Akademia të jetë në vazhdimësi garante e mbrojtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe dhe respektimit të gjuhës përballë deformimeve, ndikimeve të ndryshme dhe keqpërdorimit të saj nga media të ndryshme apo indvidë të caktuar, tha akad. Gjinushi.

Ai falënderoi të gjitha grupet e punës që janë angazhuar me vullnetin e tyre që të japin kontributin në këtë vepër madhore. Botimi është në nderin e ASH dhe gjithë institucioneve që kanë bashkëpunuar në hartimin e veprës.

Prof.dr. Valter Memishaj tha se viti 2021 ishte viti i parë për hartimin e “Fjalorit” dhe falënderoi bashkëpunëtorët për seriozitetin në realizimin e tij. Vepra do të mbyllet në vitin 2023 dhe gjatë vitit që shkoi u krijua kartoteka e baza e të dhënave e nevojshme, pa të cilat nuk ndërtohet një fjalor.

Ai tha se deri tani janë hedhur në word fjalorë shpjegues kombëtarë të hartuar institucionalisht në vitet 2002, 2006, 2020, etj, fjalorët tematikë e frazeologjikë, fjalori i homonimeve dhe të gjithë fjalorët kryesorë që lidhen me leksikografinë dialektore, si fjalori i të folmeve veriperëndimore, fjalorë të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut, fjalorët me leksik nga Çamëria, Myzeqeja, Devolli, etj.

Është punuar për mbledhjen e fjalëve nga fusha e letërsisë dhe janë zgjedhur personalitetet më të spikatur si Kadare, Fishta, Camaj, Petro Marko, Qose, etj, etj.

Një grup ka punuar me leksikun politiko-shoqëror dhe të mediave të shkruara e të folura me përgjegjës prof.dr.Miço Samarën, që kanë dorëzuar një material fillestar me mbi 3000 njësi pranë sekretarisë shkencore.

i punës drejtuar nga Kristina Jorgaqi, përgjegjëse për huazimet ka punuar që këto fjalë gjithmonë me kriteret që i takojnë shqipes standarde t’i përzgjedh jo vetëm si shënuese, por edhe në shtrirjen vertikale dhe horizontale në të gjitha trevat shqipfolëse.

Për leksikun dialektor, akad. emeritus. Gjovalin Shkurtaj si përgjegjës i grupit ka dorëzuar deri në 4000 njësi dhe prof. Qemal Murati ka mbyllur një fjalës me 4000 njësi.

Leksiku që vjen nga fusha të tjera, sidomos nga departamenti i Institutit të Prishtinës, është në gjendje për t’u vënë në punë.

Akad. Jani Thomai së bashku me Ali Jasharin dhe me asistente Manjolla Saçellarin kanë hartuar fjalorin e frazeologjisë me 40 mijë njësi frazeologjike, nga e cila do të zgjidhet një pasuri deri në 12 mijë njësi dhe brenda muajit maj do të jetë gati për t’u futur në “Fjalor”.

Memishaj vlerësoi punonjëset e kartotekës për punën e kalimit të fjalorit në word.

Viti 2022 është viti i fillimit të punës hartuese, ndërsa hartimi i “Fjalorit” do të jetë një proces i hapur deri në hartimin përfundimtar për pasurimin hap pas hapi të tij.

Akad. Shkurtaj falënderoi Kryetarin akad. Gjinushi që po u qëndron mbi kokë punëve për hartimin e tri projekteve të mëdha dhe falënderoi gjithashtu specialistët që po punojmë me “Fjalorin”. Ai raportoi për punën e ekipit dhe prezantoi materialet e sjella, ndërsa sugjeroi bashkimin sa më parë të të gjithë korpusit të materialeve nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, e Çamërisë, arbëreshët, etj. Shkurtaj sugjeroi futjen në fjalor të sinomimeve të fjalëve që nuk po përdoren së fundi, si tungjatjeta, e të tjera fjalë përshëndetëse e më gjerë.

Akad. asoc. Kristina Jorgaqi diskutoi për përshpejtimin e software-it dhe raporteve për prurjet në fjalor nga dialektet, huazimet, e të tjera, si dhe për çështjen e anglicizmave nëse do të paraqiten grafikisht shqip apo do të ngelen siç janë në anglisht disa nga fjalët e paintegruara si facebook, etj.

Prof. dr. Berton Sulejmani, përfaqësues kryesor i bashkëpunëtorëve nga Maqedonia e Veriut përshëndeti Kryetarin Gjinushi dhe drejtuesit e projektit dhe siguroi se do të dorëzohet vepra për eufemizmat dhe do të angazhohej më tej në studimet dialektore për të folmet në trevat e Maqedonisë dhe studimin e veprave të autorëve të letërsisë shqipe atje, si dhe për pasurinë ligjërimore të Maqedonisë Veriut dhe të vihen në funksion të “Fjalorit”.

Prof. Begzat Baliu tha se është lajm i rëndësishëm ngritja software-it, për të cilin po punon shkencëtari Elton Prifti në Vjenë, që të bëhet sa më parë i përdorshëm. Ai falënderoi Akademinë e Shkencave për mundësinë që kanë hyrë në kështjellën e madhe të “Fjalorit”, ku secili dëshiron ta ketë emrin e vet.

Anila Kananaj falënderoi Kryetarin e Akademisë që mbështeti projektin madhor të albanologjisë dhe drejtuesit akad. Jani Thomai e prof. Valter Memishaj dhe personalisht premtoi përkushtimin maksimal.

Në fund të takimit akad. Skënder Gjinushi shprehu mbështetjen e mëtejshme të punës, që nga nevoja për për të pasur një program sa më të avancuar kompjuterik, duke theksuar se Elton Prifti akademik i jashtëm ka ofruar ekspertizën dhe vetë programin, ndërkohë janë blerë nga ASH edhe pajisjet e nevojshme.

Në fund falënderoi drejtuesit kryesorë të “Fjalorit” akad. Jani Thomain dhe prof. Valter Memishaj, si dhe bashkëpunëtorët nga të gjitha trevat për punën e kontributin e tyre

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ekuador-Shqipëri-Mali i Zi/ Zyrtarët ngrenë alarmin: Situata është dramatike

Story i radhës

Ahmeti me video porosi: LSDM dhe VMRO me vite të tëra sulmojnë BDI-në për politikat e tyre ditore

Të fundit nga