Ish trajneri Emin Ajvazi, njeriu që ka dhënë shumë për futbollin e Kosovës, ka sakrifikuar shumë në vitet e 90-ta, duke i bërë rezistencë okupatorit serb, sot ka publikuar një fotografi interesante, duke iu treguar të gjithëve se kush është Agim Ademi.
Ajvazit si sot i kujtohet finalja e Kupës së Kosovës në vitin 1994 pikërisht në Dumnicë.
“Shikoni pse e meriton Agim Ademi me qenë president i FFK-së. Në vitin 1994 kur ishim nën okupim ne në Dumnicë, e organizuam finalen e Kupës së Kosovës në kufi me Serbinë, në finale u ndeshen KF Prishtina dhe KF Vëllaznimi.
Ky person e solli prof. doktor Fehmi Aganin, që nuk ishte fare lehtë në atëkohë dhe e dorëzoi Kupën dhe medaljet të dy ekipeve. Asnjëherë nuk u shkëput nga futbolli presidenti Ademi. Dhe të gjitha ishin të vërteta në ekspozenë që e shpalosi para delegatëve.
Unë jam në ngjarje gjatë tërë kësaj kohe dhe e di punën e secilit, por sinqerisht pa kurrfarë animi është punëtori më i madh që e kam takuar. Unë mendoj që futbolli i shtetit tonë do të shkoj përpara edhe më tepër në këtë mandat, që ia besuan delegatët dhe komuniteti i gjerë i futbollit.
I uroj nga zemra shëndet dhe suksese. që fare nuk dyshoj në punën që do ta bëjë presidenti Ademi”, ka shkruar Ajvazi në profilin e tij në facebook.