Para nesh dhe para gjithë opinionit, shton Ahmeti është një kompromis i propozuar që përkrahës ka mbarë Europën dhe SHBA-të, në të janë përfshirë qartë pozicionet tona që të mos cënohet identiteti, gjuha dhe dinjiteti kombëtar i bashkëqytetarëve tanë maqedonas.
“Vlerësoj se është koha të dëshmojmë pjekuri dhe racionalitet e jo protagonizëm subjektiv për interesa të ngushta. Nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të bëhet epiqendër e manovrave të rrezikshme të agjenturave të izolimit. Për të mirën e të gjithëve, për ardhmërinë e sigurtë dhe progresive le ta shfrytëzojmë këtë mundësi historike dhe të vulosim njëherë e përgjithmonë fatin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, shkruan Ahmeti.
Më herët, Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet rolin konstruktiv të presidencës franceze për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme në kontestin e vendit tonë me Bullgarinë fqinje dhe vlerëson që propozimi i dhënë në formën e ideve për zgjidhje është bazë e mirë për të përmbyllur kontestin dhe për të zhbllokuar rrugën tonë europiane, kumtuan nga BDI, përcjell Lobi Maqedoni
“Vendi ynë ndodhet para një vendimi historik, atë të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian dhe mbylljes së të gjitha çështjeve me fqinjët dhe kontestuese për vendin tonë, prandaj vlerësojmë se shanset e këtilla të një kompromisi që nuk cënon aspak identitetin, gjuhën dhe dinjitetin kombëtar të bashkëqytetarëve tanë maqedonas nuk duhen lëshuar, për të mirën e së ardhmes së sigurtë dhe progresive të vendit dhe rajonit”, thone nga BDI
Bashkimi Demokratik për Integrim apelon deri te të gjithë palët e involvuara në këtë proces historik që me racionalitet t’i qasen përmbajtjes së propozimit dhe sëbashku të sjellim vendimin e shumëpritur për të zhbllokuar rrugëtimin e integrimit të vendit.