Mirëqenia psiko-sociale e një brezi të tërë fëmijësh ukrainas është në rrezik nga lufta në rajonet lindore të Ukrainës, paralajmëron UNICEF. Ndërsa prania e trupave ruse po shtohet në këto rajone, situata bëhet edhe më alarmante, thonë ekspertët.
Nga shtëpia e saj në Kiev, Anna Gvozd ndjek me vëmendje situatën në rajonin e Luhanskut të Ukrainës, i cili të hënën u njoh nga presidenti rus Vladimir Putin si një “shtet i pavarur”. Të afërm të Anna-s jetojnë në këtë rajon në hijen e luftës.
“Mbesa ime 6-vjeçare nuk shkon në shkollë dhe në klasën e saj të vallëzimit për shkak të mortajave që bien nëpër qytet”, tregon ajo.
Pasi Rusia aneksoi Krimenë dhe nxiti një luftë separatiste në Ukrainën lindore, Anna, bashkëshorti i saj dhe tre djemtë u larguan nga rajoni.
“Nuk kemi marrë me qera një apartament, sepse si persona të zhvendosur brenda vendit na është refuzuar strehimi. Na refuzuan strehimin edhe se e panë që kishim tre fëmijë. Fëmijët e panë luftën tonë emocionale”, tregon më tej Anna për Zërin e Amerikës.
Por për familjet që nuk mund të iknin nga rajoni i Luhanskut, trauma vazhdon dhe tani po përkeqësohet pasi më shumë trupa ruse po futen në këtë territor. Në 17 shkurt një predhë artilerie goditi një kopsht fëmijësh në territoret lindore. UNICEF paralajmëron se “konflikti ka shkaktuar një dëmtim të rëndë në mirëqenien psiko-sociale të një brezi të tërë fëmijësh”.
Ata që merren me organizatat për mbrojtjen e fëmijëve thonë se trauma është e dukshme në shumë mënyra.
“Trauma po bëhet pjesë e personalitetit të tyre, përmes agresionit pasiv. Përmes vështirësive në komunikim tek fëmijët më të vegjël”, thotë Serhii Lukashov, nga organizata “Fshatrat e Fëmijëve, SOS”.
“Nuk janë vetëm efektet psikologjike. Bëhet fjalë për sëmundje kronike që zhvillohen për shkak të stresit, për shkak se nuk iu plotësohen nevojat bazë, për shkak të humbjes së sigurisë”, thotë Iuliia Skubytska, një eksperte.
Si këshilltare pranë Kombeve të Bashkuara për personat e zhvendosur, profesoresha Elizabeth Ferris thotë se është e tmerruar kur mendon se do të ketë një pushtim rus në shkallë të plotë.
“UNICEF tani vlerëson se rreth 400 mijë fëmijë kanë nevojë për ndihmë humanitare përpara se të shpërthejë ndonjë konflikt. Nevoja urgjente do të jetë sigurimi i strehimit për njerëzit që janë të zhvendosur. Ofrimi i kujdesit mjekësor do të ishte po ashtu urgjente, ujë, ushqim”, thotë ajo.
Ndërkohë Anna e di se me çfarë do të përballet mbesa e saj nëse detyrohet të largohet për shkak të luftës.
“Do të jetë një kujtim i trishitë për jetën që keni bërë, për vendin tuaj të lindjes, për miqtë dhe familjen tuaj. Jeta juaj ndryshon rrënjësisht”, thotë Anna.
Në qershor të vitit 2020, Ukraina u tha Kombeve të Bashkuara se 147 fëmijë kishin vdekur gjatë agresionit të armatosur rus në Donbas, shumë nga predhat apo minat./VOA