Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas sulmit ndaj ekipit të Klan Kosovës në veri të Mitrovicës.
“Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit. Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok”, thuhet në reagim.
AKG ka bërë të ditur se ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç.
“Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime. Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës”, thuhet në reagim në AGK-së.
AGK ka theksuar se sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri.
“Andaj, AGK-ja, kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar”, thuhet në reagim.