Ageler me porosi deri te pushteti: “Ligji për amnisti të jetë transparent, do ta ndjekim procesin”

Për SHBA-të dhe Ambasadën amerikane është e rëndësishme që Ligji për amnisti të sillet në mënyrë transparente dhe ligjore. Këtë e deklaroi ambasadorja amerikane, Anxhela Ageler, e cila porositi se politikanët duhet ta njoftojnë opinionin pse sillet dhe cili është roli i ligjit.

“Gjëja më e rëndësishme për ambasadën amerikane është që procesi të jetë ligjor dhe transparent dhe qytetarët e vendit duhet të kuptojnë se çfarë po ndodh dhe pse po ndodh dhe që liderët e tyre të zgjedhur të komunikojnë me ta se pse kjo është e rëndësishme. Ky nuk është ligji i parë i amnistisë, sigurisht nuk do të jetë i fundit dhe ne do ta ndjekim procesin nga afër”, tha Anxhela Ageler, ambasadore e SHBA-ve.

Ligji dje hyri në procedurë parlamentare me procedurë të shkurtuar por pa flamur europian dhe menjëherë iu shpërnda deputetëve. Megjithatë, ende nuk ka njoftim se kur ligji do të shqyrtohet në komision. VMRO-DPMNE sot ka njoftuar se do ta bllokojë ligjin me një numër të madh të amendamenteve.

“Nuk kemi një numër të saktë, por do të mjaftojnë që ligji të mos miratohet. Sepse ne mendojmë se ligji i amnistisë është projekt politik i qeverisë për pazare me ndikim që t’u jepet amnisti kriminelëve të dënuar në këmbim të mbështetjes në fushatën parazgjedhore për kryerjen e punëve të  pista gjatë zgjedhjeve”, pohoi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Kundër kësaj zgjidhjeje ligjore është edhe opozita e bashkuar shqiptare. Fadil Zendeli nga Besa përsëriti se besojnë se ligji po përdoret për marketing politik para zgjedhjeve.

“Përshtypja e përgjithshme është se ky propozim ligj po bëhet për interesa politike të pushtetit, është e pakontestueshme se po bëhet për interesa politike, interesa të pushtetit për këtë ligj, por në thelb bëhet fjalë për presona që me të vërtetë janë të dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor, por megjithatë bëhet fjalë për qenie njerëzore për të cilët ndonjëherë duhet të kemi mirëkuptim, por assesi nuk mund të kemi mirëkuptim për krimin dhe korrupsionin. Andaj bëjmë analiza, në momentin kur të fillojë debati do të kemi edhe qëndrim”, tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Kryeministri Kovaçevski dje njoftoi se edhe grupi i deputetëve i LSDM-së do të paraqesë amendamente në drejtim të saktësimit të rëndësisë së tij për vepra që janë të përmasave më të vogla, me çka do të përjashtohen rastet për të cilat janë paraparë dënime më të larta me burg. Me këtë ai bëri të qartë se rasti Monstra nuk do të përfshihet në këtë ligj për amnisti.

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Sulmi terrorist në Ankara, autorët hynë në Turqi përmes Sirisë

Story i radhës

Austria regjistron ditën më të nxehtë të tetorit

Të fundit nga