Numri i personave që humbën jetën në fundjavë si pasojë e shpërthimit të një cisterne karburanti në Johannesburg të Afrikës së Jugut është rritur në 27, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Afrikës së Jugut konfirmoi se si pasojë e shpërthimit të cisternës së ngecur nën urë më 24 dhjetor numri i të vdekurve është rritur në 27, pasi edhe 12 të plagosur të tjerë iu nënshtruan plagëve të marra nga shpërthimi.
Mësohet se në mesin e të trajtuarve në spital ka të lënduar me djegie të rënda në trup.
Sipas lajmeve në shtypin e Afrikës së Jugut, shoferi i cisternës që u ndalua u la i lirë “për mungesë provash”.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, tha se shpërthimi është duke u hetuar dhe se ndihma e nevojshme do të ofrohet për qytetarët e prekur nga shpërthimi.
Cisterna e karburantit e ngecur nën urë në rajonin e Boksburgut shpërtheu në flakë për shkak të fërkimit. Nga shpërthimi u shkatërrua çatia e një spitali, dy shtëpi dhe disa automjete, si dhe mbetën të plagosur shumë njerëz.