Në vitet e fundit të shekullit XIX ndodhi në Francë një ngjarje e cila e tronditi, jo vetëm vendin, por edhe mbarë Evropën. Ngjarja u quajt Afera Drajfys (L’Affaire Dreyfus).
Ngjarjet kryesore gjatë kësaj afere të famshme që e tronditi jo vetëm tërë vendin e Volterit, por edhe një pjesë të madhe të opinionit publik botëror, kanë qenë, si vijon:
– Në vitin 1894, oficeri i armatës franceze, grofi Ferdinand Valsen-Esterhazi (Charles Marie Ferdinand Walsin-Esterhazy, Paris, 1847 – Negrden, Britani e Madhe, 1923), filloi t’i jepte atasheut ushtarak të ambasadës gjermane në Paris, Maksimilian fon Shvarckopen (Maximilian von Schwarzkoppen, 1850-1917) dokumente ushtarake sekrete. Për punën e bërë, oficeri francez shpërblehej me para. Valsen-Esterhazi shërbeu në ushtrinë franceze në vitet 1870-1898.
– Gjatë kësaj veprimtarie të vet spiunuese, më 1 shtator 1894 i dorëzoi një dosje me akte apo shkresa, së cilës ia kishte bashkëngjitur edhe regjistrin e dokumenteve të dërguara deri atëherë. Regjistrin e sipërthënë, oficeri francez Valsen-Esterhazi e kishte shkruar me dorë të vet. Ndërkohë, ky dokument kishte rënë në duar të shërbimit francez të kundërzbulimit, i cili menjëherë u vu në kërkim të spiunit.
Kjo shënon fillimin e asaj që së shpejti do të quhet Afera Drajfys.
Shpejt pas kësaj, shërbimi francez i zbulimit zuri një letër të cilën atasheu Shvarckopen ia kishte shkruar kolegut të tij – atasheut ushtarak italian në Paris, me të cilin kishte një bashkëpunim të ngushtë. Në atë letër përmendej edhe njëfarë spiuni francez i shënuar vetëm me germën D.
Duke e kontrolluar listën e oficerëve të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Franceze (Shtabit të Përgjithshëm), organet franceze të hetuesisë u ndalën tek emri i kapitenit tridhjetëvjeçar – Alfred Drajfys (Alfred Dreyfus, Miluz/Milhouse, 9.10.1859 – Paris, 12.07.1935) i cili njëherazi ishte edhe i vetmi çifut në Shtatmadhorinë Franceze.
Përse u ndalën tek emri i tij? Kështu sepse germa D në letrën e atasheut gjerman dërguar kolegut të tij italian në Paris, përputhej me inicialin e emrit të Drajfusit, që po ashtu fillonte me shkronjën D.
Duke qenë me prejardhje çifute, për disa oficerë të lartë francezë me orientim dhe disponim antisemitist, Alfred Drajfysi vetvetiu ishte i dyshimtë.
Për ta deshifruar shkrimin e regjistrit të cilin Valsen-Esterhazi ia kishte bashkëngjitur dosjes dhe ia kishte dërguar atasheut gjerman në Paris – Shvarckopenit dhe për të parë nëse shkrimi në regjistër përputhej me atë të Alfred Drajfysit, organet kompetente franceze angazhuan ekspertë të grafologjisë.
Duke qenë se njëri prej ekspertëve deklaroi se dy shkrimet janë të ngjashme, kapiteni i artilerisë Alfred Drajfys, u arrestua. Më 15 tetor 1894 Alfred Drajfysi u ngarkua me akuzën se i paska dhënë Gjermanisë sekrete ushtarake të ushtrisë franceze.
Gazetat nacionaliste të Francës ndërmorën një fushatë të ashpër kundër Drajfysit. Ata kërkuan njëzëri dënimin e tradhtarit dhe linçimin e tij. Kundër Drajfysit u ngrit procedurë penale. Ajo u zhvillua me shumë parregullsi dhe në një atmosferë tejet të rëndë.
Drajfysi i mohoi akuzat duke shtuar se në asnjë mënyrë nuk është i implikuar në rastin për të cilin fajësohet. Përkundër qëndrimit të prerë për pafajësinë e vet, ai u dënua nga gjykata ushtarake franceze me deportim të përjetshëm dhe më 5 janar 1895 u dërgua në Ishullin e Djallit (Ile du Diable). Ky ishull është më i vogli dhe më veriori i brigjeve të Guajanës Franceze (Guyane française) në Atlantik, ku deri në vitin 1952 dërgoheshin të dënuarit politikë të Francës dhe të kolonive të saj. Guajana Franceze është rajon tej detit i Francës. Ndodhet në bregun verior të oqeanit Atlantik, në Amerikën Latine.
Shënim: Në vitin 1973, për Guajanën Franceze u xhirua edhe filmi “Papillon” – Flutura.
* * *
Pas dy vitesh, shërbimi francez i zbulimit zuri edhe një letër të cilën grofi Esterhazi ia dërgonte Shvarckopenit. Shpejt pas kësaj, u konstatua se shkrimi i Esterhazit është identik me atë të “regjistrit”, për të cilin Drajfysi ishte dënuar si tradhtar dhe si spiun.
Familja dhe farefisi i Drajfysit kërkuan revizionin e procesit. Duke qenë të bindur se Drajfysi është dënuar i pafajshëm, këtë e kërkuan edhe shumë persona publikë të shquar,.
Ndërkohë, gruaja e Drajfysit i drejtohet për ndihmë romancierit dhe kritikut francez me prejardhje italiane – Emil Zolës (emri i vërtetë Edouard Charles Antoine, 1840-1902). Me këtë rast, përfaqësuesi më i madh i natyralizmit francez – Zola, ngriti zërin e protestës dhe u vu në mbrojtje të së vërtetës.
Më 13 janar 1898, në gazetën “L’Aurore” të gazetarit, më vonë shtetarit francez Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau, 1841-1929) botoi artikullin e famshëm “J’accuse…!” – Lettre au President de la Republique par Ḗmile Zola (Akuzoj…! – Letër Presidentit të Republikës nga Emil Zola).
Botimi special i kësaj gazete përnjëherë u shit në 300.000 kopje, në Paris ndërkaq, u mbajtën mitingje të mëdha protestuese. Letra e Zolës tronditi Francën dhe mbarë Evropën.
Protestat shpërthyen në të gjitha metropolet e kontinentit të vjetër. Opinioni francez dhe evropian u nda më dysh: një pjesë e madhe – liberale, ishin me Drajfysin, të dënuar padrejtësisht, ndërkaq pjesa tjetër, ultranacionaliste dhe ksenofobike – kundër tij.
Nën ndikimin e qarqeve konservatore dhe antisemitiste, prokuroria e shtetit edhe kundër Zolës, ngriti proces gjyqësor – për shpifje.
Shkrimtari i famshëm u dënua me një vit burg dhe me 3.000 franga gjobë. Themeluesi i drejtimit letrar të natyralizmit, atori i ciklit “Rugon-Makartët” (Les Rougon-Macquart) dhe i “Zherminalit” (Germinal, 1885), u largua në Angli.
Por, me këtë vendim arbitrar dhe absurd të pushtetarëve francezë afera nuk mund të mbyllej. Bindja për pafajësinë e Drajfysit u forcua gjithnjë e më tepër.
Ndërkohë, fajtori kryesor, grofi Esterhazi, iku në Londër, kurse një oficer francez që kujdesej për ta strehuar, kishte përfunduar me vetëvrasje.
Revizioni i procesit të Drajfysit tani ishte i pashmangshëm. Për të marrë pjesë në procesin gjyqësor të përsëritur, ish-kapiteni i ushtrisë franceze u rikthye nga Ishulli i Djallit ku ishte deportuar.
Për ta ruajtur autoritetin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Franceze dhe të Qeverisë Franceze, pavarësisht provave që ishin në favor të pafajësisë së Drajfysit, ai u dënua përsëri.
Aktgjykimi kundër tij përsëri shkaktoi trazira të mëdha në mbarë vendin dhe në krejt Evropën. “Çështja Drajfys” nuk u hoq nga rendi i ditës. Pjesa nacionaliste e Francës ishte vërtet e fortë, por, po aq i fortë ishte edhe opinioni demokratik dhe liberal i vendit.
Në fund, krejt afera mori fund dhe u mbyll dhe jo duke e shpallur Alfred Drajfysin të pafajshëm, por duke ia falur dënimin, përkatësisht nëpërmjet abolimit që ia dha në vitin 1906 Presidenti i Republikës – Emil Lube (Ḗmile Loubet, 1838-1929).
Më në fund, më 19 shtator 1899, pasi qëndroi pothuajse pesë vjet i syrgjynosur në Amerikën Latine në Ishullin e Djallit, pranë Guajanës famëkeqe të Francës në Atlantik, Drajfysi u lirua nga faji.
Me këtë rast ai deklaroi: “Qeveria e Republikës ma riktheu lirinë, por kjo s’paraqet kurrgjë për mua, derisa nuk ma rikthejnë edhe nderin”.
Shkrimtari i famshëm gjermano-austriak me prejardhje çifute, Franc Kafka (Franz Kafka, 1883-1924) më vonë do të thotë: “Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji”.
Rehabilitimi i Drajfysit u krye shkallë-shkallë, në disa faza, ndërsa arriti kulmin më 22 korrik 1906, kur u dekorua me dekoratën e “Legjionit të Nderit” (Ordre National de la Légion d’honneur).
Alfred Drajfysi ishte fëmija i nëntë i prindërve çifutë, Rafael Drajfysit (Raphael Dreyfus) dhe Zhanetë Drajfysit (Jeannette Dreyfus). Ishte i martuar me Lysi Drajfys-Hadamar (Lucie Dreyfus-Hadamard, 1869-1945). Vdiq në Paris më 1935, në moshën 75-vjeçare.
Pasi Drajfysi mori pafajësinë, shkrimtari Emil Zola, nga Anglia u kthye në Francë ku u prit si hero dhe u shndërrua në ndërgjegje të kombit francez. Për qarqet liberale dhe demokratike të Evropës u shndërrua në simbol të intelektualit i cili del nga kabineti i shkrimeve dhe nga kulla e fildishtë për ta ngritur zërin e protestës kundër padrejtësisë, në mbrojtje të së vërtetës.
Zola vdiq në kabinetin e tij të punës, në orët e hershme të mëngjesit, më 29 shtator 1902, nga helmimi me monoksid karboni që lëshonte koftori. Në varrimin e tij morën pjesë mijëra francezë. Familjes së tij i erdhën letra ngushëllimi nga të katër anët e vendit dhe nga mbarë Evropa. Me javë të tëra, për të shprehur ngushëllime dhe për t’u regjistruar në librin e zisë, në shtëpinë e tij erdhën shumë shkrimtarë eminentë, filozofë, shkencëtarë, piktorë dhe politikanë. Shkrimtari i madh u varros në Cimetière de Montmatre në Paris.
Pas gjashtë vjetësh, më 4 qershor 1908 u bë rivarrimi i mbetjeve të kufomës së tij, për t’u vendosur në Panteon, pranë poetit, romancierit dhe dramaturgut francez, Viktor Hygosë (Victor Hugo, 1802-1885) dhe dramaturgut dhe romancierit francez Aleksandër Dyma, biri, (Alexandre Dumas, 1824-1895), i cili ishte fëmija jashtëmartesor i romancierit dhe dramaturgut francez, Aleksandër Dyma, babai (Alexander Dumas, 1802-1870).
ceremoninë e rivarrimit të natyralistit të madh në Panteon, mori pjesë edhe kolonel-lejtënanti Alfred Drajfys.
* * *
Inteligjencia shqiptare në Ballkan, aktin e Zolës duhet ta ketë shembull. Intelektuali, krahas profesionit që ushtron, duhet të ngrejë edhe zërin e protestës, duke u vënë në shërbim të interesit të gjerë shoqëror. Ndryshe, shndërrohet në një mediokër që jeton vetëm për interesin meskin të vet, pa lënë gjurmë në hapësirë dhe kohë.
Inteligjencia shqiptare në Ballkan duhet të dalë nga amullia, oportunizmi, konformizmi, indolenca, neglizhenca e mendësia provinciale dhe të vihet në mbrojtje të së vërtetës.