Aeroplanët rusë mund të fluturojnë ende mbi Kosovë, qeveria i drejtohet NATO-s

March 8, 2022
min lexim

Kosova tashmë u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, por në veprimet e saj nuk është përfshirë edhe mbyllja e hapësirës ajrore për aeroplanët e kompanive ruse. Në hartën e vendeve që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, Kosova është e veçuar bashkë më Serbinë dhe Bosnjën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Zërin e Amerikës se autoritetet tashmë i kanë kërkuar NATO-s që kjo situatë të ndryshojë.

Ne jemi shumë të interesuar që të ndalojmë fluturimin e kompanive dhe fluturakeve ruse në hapësirën tonë ajrore, këtë çështje e kemi shtruar me KFOR-in dhe NATO-n dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta për hapat dhe vendimet e mëtutjeshme”, tha ai.

Por kush e kontrollon hapësirën ajrore të Kosovës?

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, një zëdhënëse e NATO-s tha se “hapësira ajrore mbi Kosovën mbetet e hapur dhe se komandanti i KFOR-it ruan autoritetin parësor për përdorimin e hapësirës së poshtme ajrore mbi Kosovën, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, tha ajo.

Ish drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha thotë se Kosova aktualisht kontrollon hapësirën e mesme ajrore të saj, ndërsa hapësira e lartë ajrore nga 6 mijë e 500 metra e lart, kontrollohet nga Hungaria.

“Për momentin hapësirën e lartë të Kosovës e kontrollon autoriteti hungarez sipas një marrëveshje që ka me KFOR-in nga viti 2015 për ofrimin e shërbimeve në atë hapësirë ajrore për shkak se NATO-ja është autoritet kompetent për hapësirën ajrore të Kosovës dhe kjo rrjedh nga marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999 në mes të NATO-s dhe forcave të ish Jugosllavisë”, tha ai.

Ai thotë se çështja e kontrollimit të hapësirës ajrore të Kosovës është më shumë e natyrës politike se sa teknike. Pas shpalljes së pavarësisë, thotë zoti Berisha, Kosova ka miratuar ligje për aviacionin civil dhe se sipas tij qeveria duhet të shfrytëzojë këto kompetenca për të marr vendime të rëndësishme, siç është rasti me Rusinë.

“Ligjin për aviacionin civil e ka për detyrë ta zbatojë qeveria e Kosovës dhe jo NATO apo KFOR-i, ne si shtet sovran që është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe i ushtron në mënyrë të plotë kompetencat e tij duhet të paktën të ndërmerr iniciativë për ushtrimin e atyre funksioneve qe i ka obligim me ligj. Për shembull mund të kërkoj nga autoriteti i KFOR-it apo edhe autoriteti hungarez të cilat janë në marrëdhënie kontraktuale me KFOR-in dhe NATO-n që të merren vendime sa i përket hapësirës ajrore të Kosovës sidomos në këtë rast kur kemi të bëjmë me një rast të paprecedentë kur pothuajse të gjitha shtetet i kanë ndaluar shfrytëzimin e hapësirës ajrore të avionëve rus ndërsa Republika e Kosovës të mos ndërmerr një vendim të tillë apo të paktën një iniciativë të tillë për shkak të kufizimeve që i ka nga autoritetet ushtarake të NATO-s të vendosura këtu përmes misionit të tyre të KFOR-it”, tha ai.

Deri më tash vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbyllur hapësirën ajrore për kompanitë ruse, ndërsa një gjë të tillë nuk e ka bërë Serbia. Kompania e saj ajrore “Air Serbia” vazhdon të fluturojë nga Beogradi në Moskë dhe anasjelltas, ndërsa ka shtuar kapacitetet./express

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

IAEA ka humbur kontaktet me sistemet e kontrollit të Çernobilit

Story i radhës

Ushqimet janë shtrenjtuar me 6.9%, inflacioni në shkurt arriti në rekordin e dekadës

Të fundit nga

ShkoLartë