Kampioni shqiptar i MMA-së në SHBA, Adrian Hadribeaj, është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një mbrëmjeje me komunitetin shqiptar në Michigan, ku ka ndarë edhe një nga ëndrrat e tij më të mëdha në sport, të sjellë një ndeshje të veçantë në Tiranë, në vendin e origjinës së tij.
Hadribeaj, i cili prej afro 30 vitesh është i përkushtuar ndaj sportit, e shfrytëzoi këtë takim për të folur për rrugëtimin e tij sportiv, sukseset në SHBA dhe dëshirën për ta sjellë emocionin e MMA-së edhe në Shqipëri.
“Teksa i afrohem 30 viteve në sport, folëm për një ëndërr timen të sjell një ndeshje të veçantë në Tiranë, në atdhe. Mirënjohës për mbështetjen e tij”, shkroi Hadribeaj pas takimit.
Për Hadribeajn, kjo nuk është thjesht dëshira për të zhvilluar një tjetër përballje sportive. Është një mundësi për të rikthyer në atdhe një pjesë të rrugëtimit të tij, pas dekadash pune, sakrifice dhe përkushtimi në sportin profesionist në Shtetet e Bashkuara.
Emri i tij është bërë pjesë e komunitetit shqiptar të sportistëve që me punën dhe rezultatet e tyre kanë arritur të ndërtojnë karrierë përtej kufijve dhe të mbajnë lart flamurin kuqezi në arenat amerikane.
Tashmë, Hadribeaj synon një tjetër moment të veçantë: që një ndeshje e tij të zhvillohet në Tiranë, para publikut shqiptar, në vendin ku gjithçka merr një kuptim tjetër.
Takimi me kryeministrin Rama në Michigan i ka dhënë kësaj ëndrre edhe një dimension të ri, ndërsa Hadribeaj shpreson që ideja të kthehet në realitet dhe sporti shqiptar të përjetojë një event të veçantë të MMA-së në kryeqytet.
Nga ringjet e SHBA-së drejt Tiranës, Adrian Hadribeaj synon ta sjellë spektaklin e MMA-së në atdhe.


