Politikanët e ditëve të sotme, në të gjithë krahët politikë, të të gjitha llojeve dhe ngjyrave qofshin ata, jo vetëm që nuk po munden të dalin jashtë projektit rugovian për shtetin e Kosovës, po e kanë të vështirë të qëndrojnë në të njëjtit binarë të pavarësisë së Kosovës siq qëndroi Ibrahim Rugova!
Liri, Pavarësi, Demokraci…
Pas shkuarjes në amshim të presidentit historik Ibrahim Rugova, themeltarit të shtetit të Kosovës, mistrecët e sotëm të politikës u bënën horë para qytetarëve të vendit dhe ndërkombëtarëve, duke i ndryshuar qëndrimet ashtu siq ndryshon moti në Beograd dhe Bruksel, në Berlin apo Washington!
Rugova ishte dhe do të mbetët i paarritshëm dhe i papërseritshëm në trojet etnike shqiptare për konsistencën e qëndrimeve politike dhe qëndrueshmërinë ndaj presioneve ndërkombëtare.
Tre fjalët e mëdha dhe kuptimplote: Liri, Pavarësi, Demokraci, ishin dhe mbetën të pandryshuara deri në fund të jetës së tij! Këto tre fjalë ishin kallëzuesi dhe kryefjala e çdo fjalimi të Rugovës para ndërkombëtarëve.
LDK-ja post-rugoviane, arenë gladiatorësh
Pas shkuarjes në amshim të liderit historik dhe shpirtëror të shumicës së shqiptarëve të Kosovës, familja mbeti pa kryefamiljarin, partia (LDK) pa liderin, populli mbeti pa udhëheqësin e përgjegjëshëm dhe të ndërgjegjshëm, ndërsa shteti pa burrshtetasin e përmasave botërore.
Pas Rugovës, të gjithë në LDK u munduan ta zënë vendin e tij, duke u paraqitur secili më rugovist sesa tjetri, gjersa e tkurrën LDK-në në një subjekt minor në vend!
Disa me inskenime, sa të tjerë me improvizime u munduan ta luajnë rolin e Rugovës në LDK, por nuk ju “dhezi”!
Pse?
Sepse nuk ka kopje që e zëvëndëson origjinalin!
Gara e pashëmbullt për marrjen e primatit të “Liderit” në LDK po vazhdon nga shkuarja e Rugovës në amshim e deri në ditët e sotme.
Deri diku edhe mund të arsyetohet gara mes bashkëpunëtorëve të Rugovës në marrjen e primatit të liderit të partisë, por, assesi e atyre që nuk kanë gjë të përbashkët me rugovizmin në LDK, e në veçanti gara e antirugovistëve të cilët e luftuan Rugovën për së gjalli dhe e kundërshtuan politikën dhe vizionin e tij për shtetin e Kosovës.
Lojë e madhe me fjalë është berë pas shkuarjes në amshim të liderit historik, rreth vazhdimesisë rugoviane në LDK, ku të gjithë u thirren në filozofinë e tij politike, në vlerat e tij humane siq ishin: toleranca e durimi, afrimi e jo perjashtimi, bashkëpunimi e jo ndarja, dialogu e jo konfrontimi, nga të cilat, jo që nuk trashëguan asgjë nga Rugova, janë larguar aq shumë nga vizioni i tij, saqë LDK-ja e sotme nuk i ngjanë aspak dhe më asgjë asaj vazhdimësie!
Rugovizmi nuk mbrohet më fjalë, por më vepra
Pa dashur të ndalem në emra të përveçëm, sot asnjëri në LDK nuk e ka të drejtën të thirret dhe as ta permend emrin e Ibrahim Rugovës!
Pse?
Sepse Rugova nuk ishte përjashtues, por unifikues!
Gjersa ishte gjallë Rugova, LDK-ja ishte besa dhe shpresa e qytetarëve të Kosovës, ishte pika orientuese e miqëve ndërkombëtarë.
Përderisa maksima e Rugovës “në LDK ka vend për të gjithë”, është kthyer “në LDK ka vend vetëm për servilët dhe puthadorët, por jo edhe për themeltarët dhe atdhetarët, e më së paku për rugovistët e vërtetë”!
“Kalaja Rugoviane” nuk mbrohet duke qëndruar nën çatinë e antirugovizmit dhe as duke iu shërbyer grupeve të interesit brenda LDK-së, gjegjësisht atyre që ditën ulurojnë si gramafona të prishur “Rugova, Rugova…, kurse natën koketojnë pikërishtë me kundërshtarët e Rugovës dhe të LDK-së!
Rugova ishte dhe mbeti ADN-ja politike e shqiptarëve të Kosovës.
Nisma ime politike ADN nuk është rastësi, është qëllim dhe mision fisnik për rikthimin e filozofisë politike rugoviane në skenën politike, për rikthimin e shpresës dhe besës shqiptare.
Sikurse në të kaluarën, në kohërat më të vështira për vendin, që kam punuar pa asnjë kompensim material, pa asnjë llojë interesi apo privilegji, ashtu edhe sot e përgjithmonë do të punojë për interesa të popullit dhe vendit tim të shenjtë.
Ashtu siq ishte filozofia politike rugoviane apo ADN-ja politike e shqiptarëve të Kosovës e fundshekullit të kaluar, edhe Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN) është vijiimësi e filozofisë politike rugoviane, vazhdimësi e vlerave të mirëfillta kombëtare dhe njerëzore e shpirtave të lirë, trashëguese e traditave dhe zakoneve të bukura popullore dhe e vetmja alternativë e ndryshimit politik në rrethanat aktuale në dekadën e tretë të shekullit të ri.
Pavarësisht ecjes dhe ngritjes së ADN-së, deri në vdekje do të mbetem mbështetës i pathyeshëm i filozofisë politike rugoviane dhe ushtar besnik i atdheut tim.
Së paku edhe për 100 vitet e ardhshme nuk do të ketë ide apo formulë tjetër më të saktë sesa ajo e Dr. Ibrahim Rugovës për ndërtimin, ecjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Me ADN-në do të ecim në hap më kohën!