Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, u shpreh optimist për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke inkurajuar liderët politikë të rajonit të ndërmarrin “vendime të rënda”, raporton Anadolu.
Duke folur në një deklaratë për media gjatë Forumit të dytë Ekonomik në Shkup, ai u shpreh se dialogu Kosovë-Serbi është çështja më e rëndësishme e rajonit, duke inkurajuar liderët e dy vendeve që të arrijnë marrëveshje.
“I inkurajoj liderët, para së gjithash kryeministrin e Kosovës (Albin) Kurti dhe presidentin e Serbisë (Aleksandar Vuçiq) të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për problemin e tyre. I inkurajoj. Kjo është çështja më e rëndësishme për të gjithë ne në rajon. Gjithashtu, i inkurajoj të gjithë të tjerët në rajon që të lëmë pas politikat e së kaluarës dhe të ndërtojmë një të ardhme të mirëbesimit, respektit të ndërsjellë, ndërsa fokusi, në vend që të jetë në grindje dhe nacionalizëm, të jetë në ekonomi dhe përparim”, tha Abazoviq.
Ai u shpreh se vendi i tij mbështet të gjitha nismat rajonale që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe lehtësime ekonomike.
Duke folur për ndikimet e agresionit rus ndaj Ukrainës, Abazoviq u shpreh se ishin shumë të shqetësuar duke pasur parasysh investimet ruse në Mal të Zi.
Megjithatë, ai u shpreh se në aspektin ekonomik, viti i kaluar ishte një vit historik për Malin e Zi, duke theksuar se vendi i tij regjistroi investime të jashtme mbi 1 miliard euro, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto ka tejkaluar për herë të parë shifrën 5 miliardë euro.
Abazoviq tha se Mali i Zi është në mesin e disa shteteve që nuk kanë bërë kurrfarë rritje të çmimit të energjisë elektrike, pavarësisht problemeve globale në sektorin energjetik.
Forumi i dytë Ekonomik në Shkup organizohet nga Forumi Ekonomik Delphi dhe Shoqata Helenike e Biznesit. Në të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga politika, ekonomia, biznesi dhe teknologjia nga vendi dhe rajoni.
Gjatë forumit mbahen një sërë panelesh, ku do të diskutohet për agresionin rus kundër Ukrainës, anëtarësimin e Ballkanit në BE, perspektivën energjetike në rajon, investimet në infrastrukturë, si dhe strategjitë për zhvillimin ekonomik dhe transformimin digjital.