Abazoviç, brenda as 3 muajve, 3 “tentativa për vetëvrasje politike dhe kryeministrore…”!

Brenda një kohe të shkurtër apo brenda pak ditëve, qysh nga 28 prilli 2022, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i paraprirë dhe shoqëruar në kolltukun kryeministror me një fushatë të madhe reklamuese, jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në Beograd, Tiranë, Shkup, Moskë…, ka bërë të paktën tre gabime. Ata janë njeri më i rëndë se tjetri dhe secili një njollë e freskët në karrierën apo cv-në e tij të shkurtër kryeministrore.

Gabimi i parë: Marrëveshja midis qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse të Serbisë.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç më 29-30 qershor 2022 zhvilloi një vizitë zyrtare në Beograd, nënkuptueshëm mundësuar pas pranimit prej tij të kushtit nga Vuçiqi dhe nga patriarku i kishës ortodokse serbe Porfirije, për pranimin në parim dhe miratimin në Parlamentin e Malit të Zi të kësaj marrëveshjeje, Siç është bërë e njohur, gjatë kësaj vizite Abazoviç është takuar me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, dhe presidentin, Aleksandar Vuçiq. Gjatë vizitës, liderët thanë se të dy vendet “po kthejnë një faqe të re” në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Duke folur për marrëdhëniet me Serbinë, Abazovic tha se “ai po udhëheq një shtet evropian dhe laik në të cilin të gjitha komunitetet fetare do të kenë të njëjtin trajtim…” Marrëveshja, më shumë për të keqen apo për fundin e kryeministërllëkut të Abazoviç, është bërë gati dhe sipas ministrit malazez të Drejtësisë pritet të nënshkruhet në fund të verës. Siç është shprehur edhe publicisti dhe diplomati i mirënjohur Shaban Murati, në analizën e tij me titull “Një gabim i rëndë juridik dhe politik i kryeministrit Abazoviç, botuar në gazetën “DITA” më 7 korrik 2022, kjo marrëveshje e përshpejtuar nga Abazoviç, “sanksionon kontrollin dhe autoritetin e Kishës Ortodokse Serbe jo vetëm në jetën dhe organizimin fetar të Malit të Zi, por edhe mohon shtetësinë dhe identitetin kombëtar malazez. Marrëveshja legalizon statusin e Kishës Ortodokse Serbe si një shtet brenda shtetit malazez…” Lëshimet, pakujdesitë, gabimet…e Abazoviç evidentohen edhe nga “Gazeta “Vijesti”, sipas të cilës “marrëveshja nuk e përmend fare emrin “kisha ortodokse në Mal të Zi” por përmend në preambulë dy herë emërtimin “kisha ortodokse serbe në Mal të Zi”. Po sipas analistit dhe studiuesit të mirënjohur, Shaban Murati, “Emërtimi sanksionon të drejtën legale të kishës ortodokse serbe për të sunduar dhe për të kontrolluar gjithë jetën shoqërore dhe fetare në Mal të Zi.” Zi…” Në votimin e kësaj marrëveshjeje 13 ministra(shumica proserbë) votuan pro, pesë kundër, kurse tre ministra tjerë nuk morën pjesë në mbledhjen e qeverisë. Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe pritej, më 10 korrik, partia e presidentit Gjukanoviq njoftoi tërheqjen e mbështetjes për qeverinë e kryeministrit Abazoviq. Partia Demokratike Socialiste (PDS) e presidentit aktual Milo Gjukanoviq, të dielën bëri të ditur se qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq e ka humbur mbështetjen e kësaj partie për shkak të votimit pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe. PDS-ja u shpreh se qeveria kishte ndryshuar kursin politik dhe “me nxitim, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa konsultim me publikun profesionist lidhi kontratën me Kishën Ortodokse Serbe, gjë që i shkaktoi dëme të pallogaritshme interesave shtetërore të Mali i Zi “.
Kjo parti, e cila numëron 30 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi dhe nga mbështetje e së cilës u bë e mundur qeveria e pakicës e drejtuar nga Abazoviq, ku ajo nuk merr pjesë me asnjë ministër, tha se çështja e marrëveshjes është e një rëndësie kombëtare dhe nuk mund të kalohet pa një “përgjigje adekuate dhe të qartë politike”. Merret me mend se pas humbjes së mbështetjes nga kjo parti, me shumë gjasa Abazoviç, përmendet dhe veprimet e veta dhe jo si viktimë e një skenari pas krahëve të tij, apo jo si “politikan modern e novator” në një rajon konservator, mund të humbë jo shumë vonë edhe kolltukun kryeministror.

Gabimi i dytë: Gatishmëria e Abazoviç për t’u bashkuar me “Ballkanin e hapur”, me “baballarë” Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramën dhe “kumbarë” apo “tutorë” Xhorxh e Aleks Soros. Gjatë vizitës së tij në Beograd më 29-30 qershor 2022 Abazoviç ka kërkuar që vendi i tij të bëhet pjesë e “Open Ballkan”, dëshirë që e ka shprehur qysh më 20.11.2021, në një intervistë në shqippost.com. Sipas këtij qëndrimi ai ishte pjesëmarrës në takimin e 8-9 qershorit 2022 në Ohër. Por, nënkuptohet se pas kundërshtimeve nga Podgorica politike, ai ndryshoi retorikën. , duke deklaruar më 9 qershor se “pjesëmarrja e tij në samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër nuk nënkupton se vendi i tij është bërë pjesëmarrës i kësaj nisme…” Lidhur me qëndrimin e Abazoviç ndaj “Ballkanit të hapur” jam shprehur se Abazoviç nuk do të mund të bëhej zv.kryeministër dhe kryeministër i Malit të Zi, me aq pak vota e mandate sa kishte, pa interesin, pëlqimin dhe mbështetjen e Serbisë e të kishës ortodokse serbe, edhe për marrëveshjen midis qeverisë së Malit të Zi me Kishën Ortodokse të Serbisë, edhe për të futur këtë vend në “thesin” e të shumëpërfolurit jo pa arsye të forta “Ballkani i hapur”. Me këto qëndrime e veprime duket se Abazoviç po “u lan borxhet” apo shpreh mirënjohjen investitorëve ose bamirësve të karrierës së tij në dy postet e larta.

Gabimi i tretë: Abazoviç bën një deklaratë të papjekur apo të pamatur për gjenocidin në Srebrenicë dhe pastaj kërkon falje

11 Korrik, 2022 kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç bëri një deklaratë që u prit me kundërshtime dhe kritika në Bosnje-Hercegovinë, sidomos nga popullsia boshnjake, nga përfaqësuesit e partive kryesore politike e nga shumica e familjeve të 8372 viktimave të Masakrës barbare serbe në Srebenicë 27 vjet më parë, më 11 korrik 1995. Familjarët e viktimave dhe shoqatat i kërkuan Abazoviçit që të kërkojë falje, sepse definicioni i gjenocidit thotë se ai përbën “synimin për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”. Më herët gjatë 11 korrikut, shoqata “Nënat e Srebrenicës” tha se Abazoviq duhet t’iu kërkojë falje të gjithë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. “Fëmijët tanë u vranë vetëm sepse ishin boshnjakë, ata u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizim të krimit!”. Pas informimit për këto reagime të natyrshme e të justifikueshme ai bëri korrigjimet e nevojshme dhe një përgënjeshtrim publik. Abazoviç, tha se deklarata e tij në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë ishte “e paqartë” dhe u kërkoi falje familjarëve të viktimave. Saktësisht në deklaratën e parë ai ishte shprehur: “Gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve, dhe nuk u krye nga ushtritë, por nga politikanët, politika e së keqes, politika e vdekjes dhe politika e mashtrimit”. Analiza e kësaj deklarate të përgjithshme, pa treguar gishtin në drejtimin e duhur dhe tek autorët e vërtetë, më shumë se nga nxitimi dhe papjekuria e tij apo e njërit ose njërës prej sekretarëve të tij, shpreh hallin e Abazoviç që të mos shkaktojë qejfmbetje dhe zemërim tek Vuçiq dhe të tjerë pushtetarë të lartë serbë përreth tij në Beograd. Për të kuptuar edhe më shumë se kujt i ka shërbyer, për “naivitet” apo me vetëdije Abazoviç me marrëveshjen me Kishën Ortodokse të Serbisë dhe për deklaratën për Masakrën serbe në Srebenicë ndihmon shumë edhe reagimi në mbasditën e dt.11 korrik i Kryetares së Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, Sipas saj, në një deklaratë për “Klix”, “Gjithçka që çDritan Abazoviq] po bën tani nuk është nga papërvoja politike, por është instruksion i marrë nga Beogradi, qëllimi i të cilit është ndalimi i përparimit të Malit të Zi drejt BE-së”. Pas bombardimit me kundërshtime nga Bosnja, Podgorica, Prishtina, Tirana… Abazoviç publikoi ndjesën e tij publike dhe mediatike: “U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Gjenocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt…!”

Kërkova dhe zgjodha vetëm këto 3 gabime, pa larguar kategorikisht mendimin se mund të jenë edhe më shumë. Gjithsesi, edhe për këto të tre mund të shtrohen logjikshëm po 3 pyetje: janë gabime njerëzore, për shkak “të papjekurisë politike dhe juridike”? Apo Abazoviç është viktimë e besimit të tepruar ndaj njerëzve që ka në stafin kryeministror, “e lojës së pistë” që mund të kenë bërë me emrin dhe postin e tij disa pjesëtarë filoserbë në ekipin e ndihmësve të tij? Ose: është viktimë e ndërgjegjshme e vetvetes, e të qenit i detyruar nga disa “borxhe paraprake” apo kushte të paracaktuara pas kulisave? Deklaratat këmbëngulëse mbrojtëse dhe justifikuese ndaj veprimeve të tij nga vetë Abazoviç, pas reagimeve dhe kritikave që ka pasur për këto 3 gabime, shprehin më shumë bindje, ndërgjegjshmëri dhe vendosmëri për kryerjen e tyre. Në mënyrë figurative, ato mund të quhen edhe 3 “tentativa për vetëvrasje politike dhe kryeministrore…”

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Arrestohet anesteziologu, dyshohet se e ka përdhunuar pacientën gjatë operacionit

Story i radhës

Rrëmbehet me forcë një vajzë në Gostivar

Të fundit nga