Abazi mori zyrtarisht detyrën, anëtarët e Këshillit vlerësuan punën e tij të deritanishme

min lexim

Këshilli i Prokurorëve zyrtarisht e emëroi Islam Abazin shef të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Përkundër polemikave që u plasuan në opinion në lidhje me lidhjet e tija të mundshme me eksponentë të BDI-së, anëtarët e Këshillit të Prokurorëve sot thurën lavde për punën e deritanishme të Abazit, si shef i Prokurorisë së Lartë të Gostivarit.

“Unë në këtë pozitë jam tash dy vite, gjatë këtyre viteve ai është vlerësuar pozitivisht raporti vjetor i Prokurorisë së Gostivarit dhe është theksuar se atje është arritur përparim në kuptimin e zgjidhjes së disa lëndëve që ndër vite kanë qëndruar në sirtar, pra të pazgjidhura dhe me ardhjen e këtij prokurori, gjendja është më e mirë”, tha Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve në RMV.

Fjalë të mira për Islam Abazin thanë edhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Prokurorëve si Lubomir Joveski, Ixhet Memeti, Arbër Isaku dhe Kole Shterjev. Një javë pas zgjedhjes së Abazit në këtë detyrë, sot gazetarët për herë të parë patën mundësinë të shohin biografinë e tij. Akuza për mungesë transparence gjatë zgjedhjes së tij ka pasur edhe nga organizata të shoqërisë civile dhe Komisioni Antikorrupsion. Seanca u ndërpre menjëherë pas emërimit zyrtar së Abazit në këtë detyrë, kështu, u pamundësua zgjedhja e shefave të prokurorisë së lartë në Shkup dhe Gostivar si dhe atyre themelor në Manastir, Veles, Gostivar, Kavadar dhe Kumanovë.

Sipas Joleskit, anëtarëve të këshillit ju nevojitet më shumë kohë për të vendosur.

“Konsideruan se ju nevojitet kohë shtesë, unë nuk mund të përzihem në këtë pjesë sepse edhe ashtu jemi ngushtë më shumicën dhe nuk mund të lejoj që dikush të thotë se nuk mund të votojë dhe të ik. Është në rregull që të gjithë të jemi të gatshëm, seanca u caktua për të hënën”, u shpreh Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Kandidatë për shef të Prokurorisë së Lartë të Shkupit janë Mustafa Hajrullahu, Fatime Fetai, dhe Burim Rustemi. Dy të fundit kanë qenë pjesë e Prokurorisë Speciale Publike.

Story i mëparshëm

Ekspertët flasin për vendimin për ndërtimet pa leje: Bie ndesh me Kodin Penal dhe ligjin! Ja kush favorizohet

Story i radhës

Zv/ministri Bushi: Bashkëpunimi i policisë së RMV-së dhe Shqipërisë në nivel europian

Të fundit nga