Mëngjesi i së mërkurës nisi me raportime se brenda Federatës së Futbollit të Kosovës ka ndodhur një përleshje fizike ndërmjet kryetarit Agim Ademi dhe drejtorit për marrëdhënie me jashtë, Artan Govori.
Disa orë më vonë, Agim Ademi doli me një postim në “Facebook” ku mohoi se ka ndodhur një gjë e tillë brenda FFK-së dhe se gjithçka ishte brenda suazave të një debati të zakonshëm dhe se raportimet e mediave ai i quaji shantazhe ndaj tij para mbajtjes së zgjedhjeve për të parin e FFK-së më 6 prill.
Në orët e pasdites, Govori në një prononcim për media tregoi se ai është sulmuar fizikisht nga Ademi, është kapur për fyti dhe ka pësuar disa lëndime të lehta.
I pranishëm në ambientet e FFK-së në momentin e incidentit ishte edhe kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët” Lulzim Berisha. Ai ka rrëfyer versionin e tij mbi atë se si kishe ndodhur e gjithë ngjarja.
Berisha tregon se gjithçka ka nisur nga një pyetje e Agim Ademit drejtuar Artan Govorit duke i thënë “A të ka mejtë shpina”, pyetje e cila sipas Berishës është bërë nga kryetari i FFK-së për shkak se një ditë më parë Govori kishte kërkuar pushim mjekësor për shkak të dhimbjeve në shpinë.
“Gjithçka ka nisur në momentin kur Ademi e ka pyetur Govorin se ‘A të ka mejtë shpina’. Govori ia ktheu me të shara duke i thënë ‘Kush ****** po më fotografon mua të ia *****. Të trego ta di kush po më fotografon’. Në ato momente kemi reaguar ne që ishim të pranishëm aty dhe nuk ka pasur asnjë përleshje fizike ndërmjet tyre”, ka thënë Berisha.
Tutje Berisha bëri të ditur se disa orë më vonë është ftuar në stacionin policor si dëshmitar i këtij rasti.