A ta themi të vërtetën

min lexim

Nuk do të më mbyllen sytë pa e përfunduar librin tim që do të zbardhë me fakte e me argumenta, me dokumenta e me rrëfime autentike, tërë atë që ndodhi në BFI, dhe kush janë këta “ish-bashkëpunëtorë” që sot mburren se më largun në “emër të Allahut” dhe se sot po punuakan “për Allah”! Është e pakontestueshme se vetëm Allahu e di të vërtetën! Unë do ta them

Si tash dy vjet më parë, bashkëpunëtorët e mi, të cilët i kisha përkrahur në karrierë, ua kisha dhënë të gjitha mundësitë që të bëjnë emër, tradhëtisht “më eliminuan”, më bënë puç klasik! Më shkarkuan për shkak se, sipas tyre, kisha shkelur Nenin 59 të Kushtetutës së BFI-së!

Kurrë, në asnjë mbledhje Rijaseti që ishin aq të shpeshta, në asnjë takim, në asnjë tubim nëpër myftini për raporte financiare e për miratim të planeve organizative në ngritje dhe avancim të jetës fetare, pra, në asnjë moment nuk ma tërhoqën vërejtjen, qoftë edhe miqësisht, për çfarëdo shkelje që mund të kisha bërë! Kurrë nuk e ngriti zërin asnjëri, kurrë asnjëri nuk inicoi ndonjë komision disiplinor e t’m’i thonin të gjitha problemet antikushtetuese që mund t’i kem shkaktuar! Dhe, në një ditë të bukur, bashkëpunëtorët e mi që paskan “hetuar” se unë paskam shkelur Nenin 59 të Kushtetutës së BFI-së, në mënyrë krejt antikushtetutare, duke i shkelur të gjitha nenet e kësaj Kushtetute, pa dijeninë time ishin mbledhur dhe, thanë: shkarkohesh!

Kush i tuboi, cili qe ai udhër që i tuboi brenda natës, kjo edhe më tej ngelë “enigmë” (por jo edhe për mua!!!). Kush ishte ajo “hije” që pati fuqinë e tubimit më të madhe se të Resil Ulemasë, se të Rijasetit? Kush ishte ajo “hije” që pati nevojë për t’i mbledhur bashkëpunëtorët e mi dhe për ta dekonstruktuar tërë atë projekt që e kishim bërë më se tri dekada me radhë! Detronizimi deri në atë përmasë i BFI-së nuk ka pasur kurrfarë qëllimi përveçse të mohohet një hisori e tërë suksesi, të minohet një bagazh i paprekshëm kombëtar e fetar që ishte bërë shtyllë e palakueshme e Bashkësisë Fetare Islame bashkëkohore, e cila, jo vetëm që ishte vëzhguese e proceseve të reja historike dhe shoqërore por, ia doli me sukses që të jetë dhe të respektohet gjithmonë në krye të këtyre proceseve. Kujt i pengoi ky sukses i jashtëzakonshëm i BFI-së? Kush u tremb nga ai trung i çeliktë i unitetit kombëtar e fetar që e kishte ngritur me aq mund ndër vite BFI-ja!

Çuditërisht, jo më shumë se një javë përpara komlotit dhe tradhëtisë, në një përpjekje gazetareske për një dokumentar mbi këto të arritura dhe mbi mua si prijës në këto suksese të pakontestueshme, funksionarët e organeve më me relevancë në BFI kishin folur në superlativ pë mua! Një javë më vonë, brenda natës, dikush i tubon dhe këta konstatojnë se unë paskam shkelur Nenin 59 të Kushtetutës së BFI-së!

Kurrë nuk u zbërthye kjo shkelje, kurrë nuk u argumentua, ndërsa gjesti tradhëtues si dhe synimet e “bashkëpunëtorëve” të mi tashmë i dinë të gjithë, i madh e i vogël, në vend e më gjërë!

Ja ku jemi sot: një Bashkësi Islame tërësisht e dezorganizuar, një shoqëri myslimane tërësisht e demotivuar, e deziorientuar dhe e përçarë si mos më keq!

Sot, çuditërisht, bashkëpunëtorët e mi të deridjeshëm, nuk më flasin, nuk më bëjnë asnjë telefonatë, nuk më urojnë asnjë festë fetare, (ndërsa këtu e një kohë më parë luanin “çoçek“ para meje, tërthorazi më kërkojnë falje dhe më informojnë se e kanë të ndaluar rreptësisht nga Shaqir Fetai që të komunikojnë me mua!

Bashkëpunëtorët e mi të deridjeshëm sot janë shndërruar në “besnikë të sinqertë” nën frenat e Shaqir Fetait! Ish-formacioni im, prej myftinjësh, dekan, drejtor e kordinatorë, të cilëve ua dhashë të gjitha mundësitë dhe përkrahjen për karrierë, për të cilët kërkoja dhe këmbëngulja në respekt të gjërë prej myslimanëve të vendit, sot në krah të atij pë të cilin më ishin lodhur nofullat duke e lavdëruar në opinion, më ishin topitur fuqitë duke e përkrahur dhe duke e ruajtur nga “lojërat e pandershme” që luheshin kundër tij, sot fshihen dhe ruhen prej meje! Thua të jetë problem vetëm Shaqir Fetai, apo, problem është fakti që, unë e di se kush janë, që nga portiri e deri te Shaqiri!

Të gjithë me mua kanë histori të ndryshme, të gjithë e dinë se unë jam arkivi i gjallë i çdo njerit prej tyre, të gjithë e dinë se çka kemi realizuar, çka kemi bërë, çka kemi nënshkruar, së këndejmi, të gjithë e dinë se unë për secilin prej tyre kam nga një thes dokumentash! Unë nuk jam person që heshti para padrejtësisë! Nuk jam person që i nënshtrohem tradhëtisë dhe as që i duartrokas asaj! Nuk jam person që mund ta durojë që tjetri të ma hajë bukën e të ma përplasë kupën! Nuk jam mirënjohës ndaj të pandershmëve dhe as i shantazhueshëm, qoftë edhe nga veprat e mia “të pandershme”! Fundi im u pa, por cili do të jetë fundi i ish-bashkëpunëtorëve të mi, kjo do të shihet pas dorëshkrimit tim që jam duke e përpunuar! Unë i pandershëm e ish-bashkëpunëtorët e mi të ndershëm?! Do të flas për ndershmërinë e tyre!

Shaqir Fetai e di se ç’fakte posedoj unë për ta diskredituar deri në varrosje për së gjalli!

Qenan Ismaili e di fort mirë se cili ishte muhabeti ynë dhe besatimi para se ta emërtoj myfti të Shkupit duke i shkelur të gjitha normat juridike të BFI-së!

Dhe të tjerët janë shumë të vetëdishëm se çka posedoj unë për ta dhe si mund të ngelin “golltarë” nëse nisi dhe flas unë!

Të gjithë e dinë se janë të turpëruar para meje, ndaj dhe i ikin komunikimit dhe jo se pengesë qenka Shaqir Fetai, sepse, realisht e di që të gjithë ata, nuk e llogarisin për pesë para këtë farë “reisi” të instaluar nga nëntoka e politikave maqedonase.

BFI-ja, shoqëria shqiptare, myslimanët e vedit, nuk kanë perspektivë me një “garniturë” të këtillë me në krye rrobaqepsin Shaqir Fetai! BFI-ja ka ngelur pa personalitet, ka ngelur pa dinjitet dhe pa rolin kryesor në procese të vendit!

E unë, aktualisht, kam ngelur nën inercionin e moshësh, me një dhembje të trishtë në shpirt për tërë atë që po i ndodhë BFI-së, me një shqetësim njerëzor për hullijtë e arave të huaja ku është futur ky Institucion, i cili dikur ishte “ëndërr” e hijenave ndërsa sot është shndërruar në kërm të hijenave! Dhe, nuk do të më mbyllen sytë pa e përfunduar librin tim që do të zbardhë me fakte e me argumenta, me dokumenta e me rrëfime autentike, tërë atë që ndodhi në BFI, dhe kush janë këta “ish-bashkëpunëtorë” që sot mburren se më largun në “emër të Allahut” dhe se sot po punuakan “për Allah”! Është e pakontestueshme se vetëm Allahu e di të vërtetën! Unë do ta them!

 

 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Caktohet paraburgim për gjashtë të dyshuarit për mashtrim gjatë blerjes së parcelave për ndërtim të centraleve fotovoltaike

Story i radhës

Serbia vendi që humb më së shumti banorë në gjithë botën, ka më pak serb dhe më të vjetër

Të fundit nga