Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje në vendin tonë është i nevojshëm dhe i domosdoshëm që të ofroj zgjidhje për shumicën e qytetarëve të cilët kanë blerë objekte banimi, në shumë raste edhe të lajthitur lidhur me legalitetin e tyre. Prandaj, edhe ka nevojë për legalizim. Por, kjo nuk do të thotë se duhet edhe të përligjet krimi urbanistik në vend. Mbi aspektin ligjor dhe të standardeve të lejeve për ndërtim, thanë mjafte deputet që debatuan dhe për çudi u pajtova edhe me ata të LVV kësaj radhe.
Ky krim është në tre kategori, dhe atë: infrastrukturor, ekonomik dhe të sigurisë, ku edhe e kam shqetësimin tim.
Në aspektin infrastrukturor mjafton të hidhni një vështrim mbi infrastrukturën për akomodim dhe banim në qytetet tona, dhe do të tmerroheni se në çfarë standarde janë dhënë lejet e ndërtimit në zona urbanë, në zonat rurale po ashtu, se si janë shkatërruar tokat e bukës duke ju ndryshuar destinimi, janë shkatërrua instalacionet e ulitjes, deri të shkatërrimi i hapësirave të gjelbra, duke i shndërruar në betonarme, varreza makinash, etj.
Në aspektin ekonomik, informaliteti në procesin e shitblerjes, evazioni fiskal dhe pastrimi i parave të pista në ndërtime, ka bërë që në lagjen “Pejton” të Prishtinës, të shitet metri katror i ambienteve të banimit deri në tre mijë euro, ndërkohë që sipas një emisionin medial, në New York, një metër katrore banimi kushton diku 900 dollar. Pra me këtë ligj të legalizimit të ndërtimeve pa leje, do të bëjmë njëkohësisht edhe legalizimin e krimit apo përfitimit me biznese të zeza të ndërtimtarëve dhe lejedhënësve të pandërgjegjshëm.
Kurse kategoria e tretë e krimit urbanistik, ka të bëjë me sigurinë dhe kërcënimin e rreziqet që vijnë nga ndërtimet jashtë standardëve apo me standarde të komprometuara dhe pa leje ndërtimi që në fakt e legjitimon ndërtimin jashtë standardeve të vendosura nga shteti.
Se pari, duhet të trajtojmë cilësinë e materialeve ndërtimore dhe sa do të jenë rezistente ndaj fatkeqësive natyrore apo të shkaktuara nga njeriu, psh. tërmetet dhe sa do ta përballojnë këto ndërtime, pastaj shpërthimet e mundshne të natyrave të ndryshme demoluese.
Se dyti, në kontekst të sigurisë, duhen parë edhe se si do të lëvizet dhe si do të veprojnë qytetarët në rast alarmimi?! Pra, nga do të lëvizin, si do të lëvizin, ku kush çfarë përgjegjësie ka ndaj kujt?! A do të ketë rrugë të kalueshme apo të bllokuara, a do të ketë hapësira për evakuim të qytetarëve, ku do ti strehojmë ata, si do të veprohet me fëmijët nëpër shkolla, si do të lëvizin rrugëve, etj. Po ashtu, është me rendësi të trajtohen mundësitë e strehimit në raste krizash, pra nëse ka pasur ose jo, interesim që këto pallate që po ndërtohen të lidhen përmes bodrumeve apo të krijohen strehimore ekstra për ketë destinim. Ditë më parë, ka pasur një interesim medial për strehimoret që ekzistojnë në qytete psh. në Prishtinë dhe se në çfarë gjendje janë dhe sa ofrojnë mundësi strehimi për qytetarët, sa janë ato të mirëmbajtura dhe funksionale.
Pra, ky ligj duhet ti trajtoj të gjitha këto aspekte nëse duam të kemi një infrastrukturë që ofron akomodim të rehatshëm por dhe siguri në rast të ndonjë fatkeqësie.
Kështu siç është ky ligj, është tregues i mirë që po mendohet për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje për qytetarët, që në të shumtën kanë blerë në lajthitje pa i kuptuar se cilat janë standardet e ndërtimit, e tani kanë nevojë ti legalizojnë por edhe ti përdorin si hipoteka bankare për kredi. Por, kjo nuk do të thotë edhe përligjje e krimit. Prandaj ky ligj duhet të kthehet dhe të rishikohet e plotësohet për mangësitë që u vunë në pah.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO