A po kryen Rusia gjenocid në Ukrainë?

April 11, 2022
min lexim

A është duke kryer Rusia gjenocid në Ukrainë? David Simon, profesor i shkencave politike dhe drejtor i Programit për Studime mbi Gjenocidin në Universitetin Yale, treguar për Radion Evropa e Lirë mendimin e tij për këtë çështje. Pse kjo gjë ka rëndësi dhe pse fuqia e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është problematike?

Radio Evropa e Lirë: Çfarë është duke ndodhur në Ukrainë? Ka pasur debate nëse ky është gjenocid apo jo – çfarë ka ndodhur në Buça dhe qyteza tjera të Ukrainës?

David Simon: Mendoj se ka shumë interesim në këtë pyetje, jo vetëm pse presidenti (Volodomyr) Zelensky ka ngritur çështjen e gjenocidit në komentet e tij. Imazhet që kanë dalë nga Buça janë të tmerrshme. Ato ‘tronditin ndërgjegjen’ siç thotë një frazë që daton nga epoka e gjyqeve të Nurenbergut. Pyetja nëse është duke ndodhur apo jo gjenocid në Ukrainë – ndoshta me urdhër të trupave ruse, apo operacionit rus në tërësi, është më e komplikuar sesa mizoritë në një vend të caktuar. Përcaktimi i gjenocidit varet nga aftësia për të zbuluar ose për të konkluduar qëllimin.

Fraza brenda Konventës për Gjenocidin, e cila definon çfarë është gjenocidi sipas ligjit ndërkombëtar, e sheh atë si një numër veprimesh që janë kryer me qëllim të shkatërrimit, në tërësi apo pjesërisht, të një grupi mbi baza racore, etnike, fetare apo kombëtare. Kjo është pjesa kyçe që bën diçka gjenocid. Përpjekjet për të shkatërruar një grup, vetëm pse është grup, vrasja e një njeriu, vetëm pse është anëtar i një grupi, apo nëse kryesi synon të shkatërrojë apo të paktën të eliminojë pjesërisht atë grup.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kjo do të thotë se deri më tani nuk mund të thoni se çfarë po ndodh, sepse nuk keni shenja se po shënjestrohet një grup, apo të paktën nuk keni ende konfirmim për diçka të tillë?

David Simon: Është e komplikuar. Nuk jam i sigurt që nuk kemi informacion… mirëpo rasti është më i komplikuar sesa te përcaktimi për mizori dhe deklarimi ‘kjo mund të përbëjë gjenocid’. Ka të bëjë me lidhjen e asaj që ka ndodhur, pra dhunës, vrasjes së civilëve, masakrave të civilëve në rrugë, me qëllimet që ka përmendur Rusia, Kremlini apo (presidenti rus, Vladimir) Putini, apo edhe komandantët ushtarakë. Në ish-Jugosllavi dhe Ruandë – ku ka pasur tribunale ndërkombëtare, gjykatat ndërkombëtare, që kanë shqyrtuar akuzën për gjenocid – dënimet e para ndonjëherë për gjenocid në një gjykatë ndërkombëtare, në fund të viteve 1990 – kanë qenë ndaj liderëve lokalë që kanë urdhëruar ushtarët e tyre të kryejnë akte që kanë rënë nën definicionin e gjenocidit.

Prandaj, nuk na duhet një deklaratë e Putinit. Mirëpo, mendoj se në këtë rast mund të përfundojmë duke gjetur diçka të tillë. Është në deklaratat sa u përket të drejtave të ukrainasve për të ekzistuar. Është e komplikuar pasi ajo çfarë thotë Putin – jam duke e përfolur dhe nuk jam duke iu drejtuar ndonjë fjalie në veçanti – është se Ukraina nuk ka të drejtë të ekzistojë. Që Ukraina është një lloj aksidenti ndërkombëtar, prandaj ai thotë se Ukraina nuk ka të drejtë të ekzistojë. Në një pikë, kjo është ndryshe nga, të themi, deklaratat se ukrainasit nuk kanë të drejtë të ekzistojnë. Mendoj se Putini do të ishte ndër të parët që do të thoshte se ‘po, ky popull ka të drejtë të ekzistojë. Ata vetëm duhet ta quajnë veten rusë’. Kjo gjë ngre pyetje interesante, pa pasur ndonjë precedent në ligjin ndërkombëtar nëse kjo gjë cilësohet gjenocid.

David Simon: Nga këto diskutime dalin dy gjëra tjera. Njëra është për një pikë që nuk është në Konventën e Gjenocidit, por e cila është diskutuar më 1940 në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kur është diskutuar krijimi i Konventës – që flet për gjenocid kulturor, e që është mohimi i kulturës dhe mohimi i të drejtës së njerëzve për të pasur një lloj të kulturës apo identitetit. Ndonëse mund të argumentohet kështu, si e tillë nuk ka bazë në ligjin ndërkombëtar.

David Simon: ​Tjetra gjë është që të paktën disa figura të lidhura me Kremlinin mund të kenë shkruar në mediat shtetërore ruse, mes rreshtash, se udhëheqësia ukrainase duhet të likuidohet. Natyrisht, ata i referohen udhëheqësisë si neo-naziste, në një mënyrë apo tjetër. Po ashtu, ata nuk bëjnë dallim në mes të neo-nazistëve aktualë, apo anëtarësimit në një organizatë neo-naziste dhe ukrainasve në tërësi. Pra, nëse po e ngatërroni atë anëtarësim politik me një identitet kombëtar, dhe më pas po thoni se udhëheqësia e atij grupi identitar duhet të likuidohet ose shfaroset, ju po bëni thirrje për eliminimin e pjese të një grupi si të tillë, dhe kështu mund të përfshihet në Konventën e Gjenocidit si gjenocid.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë pasojat nëse e cilësoni një mizori si gjenocid në krahasim me krim lufte?

David Simon: ​Është më shumë në imagjinatën e popullit, në imagjinatën globale që gjenocidi qëndron në krye të hierarkisë së krimeve. Në fakt, nuk është ashtu. Nuk ka hierarki të shkruar diku nëpër ligje. Sa u përket gjykimeve, dikush mund të gjykohet për krime lufte dhe dikush mund të gjykohet për gjenocid.

David Simon: ​Por, përtej llogaridhënies, është çështja e ndërhyrjes ose shtypjes së këtyre akteve, parandalimi i akteve të mëtejshme të gjenocidit ose krimeve të luftës. Konventa për Gjenocid thotë se nëse dikush mendon se po ndodh gjenocid, duhet ta dërgojë këtë çështje në Kombet e Bashkuara dhe ato më pas do të vendosin si të veprojnë. Meqë Rusia ka veto në Këshillin e Sigurimit, kjo punë do të shkojë ngadalë. OKB-ja po bën punë, mirëpo nuk mundet që menjëherë të krijojë forca paqeruajtëse, misione paqeruajtëse apo të autorizojë koalicione ndërkombëtare për ndërhyrje ushtarake. Dhe, kjo gjë aplikohet vetëm për gjenocid.

David Simon: ​Ekziston një doktrinë – të cilën të paktën në teori e kanë nënshkruar vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara – e quajtur ‘përgjegjësia për mbrojtje’. Doktrina thotë se kur krime të caktuara vërtetohet se po ndodhin, dhe qeveria, e cila ka autoritet në zonat ku po kryhen krime, nuk mund të mbrojë shënjestrat e këtyre veprimeve, atëherë komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi për t’i mbrojtur civilët. Kjo gjë është zbatuar në Libi më 2011, kur [Muammar] Gaddafi ka shënjestruar kundërshtarët në Bengazi dhe vende tjera. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është takuar dhe ka thënë se Gaddafi nuk është i interesuar për mbrojtjen e civilëve të tij. Në fakti, ai i ka shënjestruar ata. Prandaj, është miratuar rezoluta që thotë se ‘ne, përmes NATO-s, mund të marrim masa për të mbrojtur popullsinë civile’. Mirëpo, në atë rast ka qenë një diktator kundër popullit të vet.

David Simon: ​Këtu po shohim një shtet fqinj (Rusinë) duke shënjestruar një popullsi të një shteti fqinj, dhe qeverinë e shtetit të shënjestruar (të Ukrainës) duke kërkuar ndihmë për të mbrojtur qytetarët e saj nga sulmet e shtetit fqinj.

Kjo gjë nuk ka precedent në historinë afatshkurtër të ‘përgjegjësisë për mbrojtje’ – apo të paktën nuk ka precedent që është zbatuar. Kjo është fushë, në të cilën situatat që kërkojnë mbrojtje nuk janë vetëm situata të gjenocidit të konfirmuar apo edhe të pretenduar, por edhe ato për krime kundër njerëzimit, spastrim etnik dhe krime lufte. Për këto tri kategoritë tjera të shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut, arrihet më shpejt te përfundimi se “po, ky është krim lufte. Ky është krim kundër njerëzimit’ sepse nuk kemi nevojë për qëllim. Nuk ju duhen të dhëna për atë se çfarë ka menduar kryesi i krimit. Ju duhet të shihni – shembull te krimet kundër njerëzimit – që ka sulme të vazhdueshme kundër civilëve. Apo në rastin e krimeve të luftës, ka shkelje të rregullave që përcaktojnë sjelljen e grupeve të armatosura gjatë periudhës së luftës.

Radio Evropa e Lirë: Nëse situata në Ukrainë shpallet gjenocid, a obligohen shtetet që të veprojnë kundër Rusisë?

David Simon: ​Obligimi i vetëm sipas Konventës është që çështja të shkojë në OKB. Ky më pas bëhet proces i pasigurt. Nuk ka asgjë bindëse, nuk ka ndëshkim institucional nëse nuk bëhet asgjë. Ndoshta duhet të ketë. Mirëpo, në politikat dhe ligjin ndërkombëtar, na mungon mekanizmi për të detyruar veprim aktual. Tani, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se gjenocidi është duke ndodhur – po ndodh ose ka ndodhur – në tetë raste. Nuk jam i sigurt nëse kanë autorizuar përgjigje ushtarake, në ndonjërën prej tyre.

David Simon: ​Forcat paqeruajtëse nuk kanë qenë krejtësisht të suksseshme përgjatë historisë. Ka shumë precedente të këqija. Shiheni Bosnjën. Kombet e Bashkuara janë angazhuar gjatë konfliktit në Bosnje për të ofruar strehim për civilët, të cilët janë sulmuar nga milici të serbëve të Bosnjës. Mendoj se është marrë mësimi që duhet të mbështeten trupat që janë duke ofruar strehim. Nuk mundesh vetëm t’i dërgosh dhe të lutesh për më të mirën. Kjo është një prej atyre gjërave që OKB-ja duhet t’i ketë parasysh. Por, edhe ajo gjë është sfiduese pasi Rusia është e përfshirë në vendimmarrje./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

BE paralajmëron krizë të mundshme ushqimore si pasojë e luftës në Ukrainë

Story i radhës

Gratë e Ukrainës po poshtërohen: Rruajtje e kokës dhe detyrim të qëndrojnë të zhveshura

Të fundit nga

Bordin nuk e bën ‘dramë’ humbjen

Elbasani nuk ia del sërish në Superiore. Skuadra e Roberto Bordin u mposht nga Egnatia me shifrat 3-1, me verdheblutë që vazhdojnë të mos fitorjnë prej javësh në kampionat. Pas kësaj disfate
ShkoLartë