Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë që kishte dhe ka mërgata, jo vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për trojet e tjera shqiptare. Mirëpo, kjo vetëdije e qytetarëve të Kosovës nuk po reflektohet në institucionet dhe asociacionet e ndryshme kosovare, tek të cilat po hetohet se mungon respekti për mërgimtarët dhe përgjithësisht për mërgatën.
Po të kthehemi vetëm tri dekada më herët do të mund të konstatojmë se ishte mërgata ajo që u bë shtylla më e fortë për mbijetesën e kosovarëve. Nuk kemi se si të mos jemi krenarë me punën e madhe që me përkushtim e ka bërë mërgata jo vetëm për grumbullimin e ndihmave vullnetare për popullatën në Kosovë, por edhe për funksionimin me sukses të institucionit financiar të tre përqindëshit, i cili qe bërë bazament tejet i rëndësishëm i funksionimit të shtetësisë së Kosovës në rrethanat e okupimit klasik nga regjimi gjenocidal i Serbisë gjatë viteve 1990 – 1999. Institucioni financiar i quajtur Fondi i tre përqindëshit veproi me sukses të plotë në saje të ndihmës së pakursyer të njerëzve të mërgatës, jo vetëm si donatorë, por edhe si organizatorë e grumbullues të mjeteve, punë këtë që e bënë qindra veprimtarë mbi baza vullnetare, madje edhe me shpenzime jo aq të vogla personale.
Mërgata e Kosovës nuk ua ka pasur borxh institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës sjelljen pa, ose me fare pak respekt. Ka kohë që mërgata kosovare nga institucionet shtetërore të nivelit qendror dhe të atij lokal shihet vetëm si forcë blerëse në Kosovë, ose thënë më konkretisht forcë që Kosovës i lë shuma të konsiderueshme parash gjatë qëndrimit në pushimet verore, korrik e gusht, si dhe gjatë pushimit dimëror në fundvit dhe fillimvit.
Kur mërgimtarët ndodhën për pushime në Kosovë, thuaja nuk ka biznes që nuk ringjallet duke e shtuar qarkullimin ditor! Është koha që edhe politika edhe biznesi, ta rikthejnë respektin për diasporën. Diasporës nuk i duhen vetëm fjalë miradije nga politika e institucionet shtetërore, siç janë ato “Mirëserdhët në vendlindjen tuaj” dhe as premtime boshe siç ishin ato tash e rreth dy dekada! Edhe nga bizneset nuk mjafton një “Mirëserdhët, urdhëroni me çka mund të ju shërbejmë”, kur rëndom ndodh që në kohën e pushimeve të bashkatdhetarëve tanë në Kosovë, thuajse të gjitha bizneset t’i ngritin çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Se Kosovës i mungon respekti për mërgimtarët mund të dëshmohet edhe me një lloj injorimi që iu bëhen mërgimtare me (mos)vlerësimin e tyre për çmimet e ndryshme të fundvitit që tashmë në Kosovë janë bërë tradicionale në shumë fusha?! Në mesin e mërgatës shqiptare sot mund të gjejmë ekspertë të të gjitha fushave që kanë një nivel të lartë profesional dhe që janë dëshmuar e kanë bërë emër në politikë, mjekësi, teknologji, ekonomi, arsim, kulturë dhe sport.
Nuk janë të pakët shqiptarët në Evropë e gjetiu në botë që kanë krijuar biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha, të cilat po i udhëheqin me sukses. Kosova ka nevojë të madhe për t’ia afruar ata njerëz, sepse nga ata pos që mund të mësojë shumëçka nga përvoja e tyre, mund të përfitojë edhe materialisht duke i llogaritur si investitorë potencialë. Edhe sa i përket fushës së kulturës diaspora kosovare sot ka emra shumë të respektuar në muzikë, letërsi e pikturë dhe arte të tjera aplikative.
Anashkalimi i mërgimtarëve që kanë bërë emër jo vetëm në shtetet ku jetojnë e punojnë nga institucionet dhe asociacionet kosovare është një veprim që brengos, dëshpëron, shqetëson dhe zhgënjen tepër. Kështu s`i ka ëndërruar askush institucionet e Republikës së Kosovës.
Me këtë sjellje të institucioneve të Kosovës jo vetëm që njerëzit e diasporës humbasin motivimin të kthehen në atdhe, por mijëra të rinj, kanë filluar të kthejnë sërish shikimin kah perëndimi, duke e braktisur Kosovën. Ata të dëshpëruar me pushtetin lokal e qendror, si dhe me sjellën e partive politike, vetëm presin rastin e parë për ta braktisur Kosovën.
Me keqardhje mund të thuhet se aktualisht Kosova nuk ka respekt ndaj mërgimtarëve, aktualisht mërgata shqiptare mbetet mërgata më e paorganizuar, me shumë halle e probleme të natyrave të ndryshme, e harruar dhe e lënë krejtësisht pasdore. Diaspora duhet të jetë ajo që i jep Kosovës, por edhe merr nga ajo. Ngjarjet e fundit në Kosovë janë dëshmi se na duhet uniteti si në Kosovë ashtu edhe në diasporë. Pa unitet brenda shqiptarëve nuk mund të pritet prosperitet dhe përparim as shtetëror e as kombëtar.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO