A mund të mbijetojë bota pa naftën dhe gazin rus?

March 9, 2022
min lexim

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar se do t’i kufizojnë importet e naftës ruse.

Kjo, edhe pavarësisht faktit se Rusia ka paralajmëruar se mund të ndërpresë furnizimin e Evropës me gaz, nëse vjen deri te ndalimi i naftës së saj.

Çfarë sanksionesh ka për naftën dhe gazin rus?

SHBA-ja ka marrë vendim për të ndaluar plotësisht importet e naftës, gazit dhe qymyrit nga Rusia, pasi Ukraina – e cila ndodhet nën pushtimin rus – ka bërë thirrje për zgjerimin e sanksioneve.

Mbretëria e Bashkuar do ta heqë naftën ruse gradualisht nga tregu – deri në fund të vitit – ndërsa BE-ja do t’i reduktojë për dy të tretat importet e gazit rus.

Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se refuzimi i naftës ruse do të çonte në “pasoja katastrofike për tregun global”.

Çmimet e naftës dhe gazit tashmë janë rritur ndjeshëm dhe mund të rriten edhe më shumë nëse Rusia i ndalon eksportet.

Sa naftë eksporton Rusia?

Rusia është prodhuesja e tretë më e madhe e naftës në botë, pas SHBA-së dhe Arabisë Saudite.

Nga rreth pesë milionë fuçi naftë bruto që eksporton çdo ditë, më shumë se gjysma e kësaj sasie shkon në Evropë.

Importet ruse përbëjnë 8% të kërkesës totale për naftë në Mbretërinë e Bashkuar.

SHBA-ja është më pak e varur. Në vitin 2020, ajo ka importuar rreth 3% të naftës së saj nga Rusia.

Po furnizimet alternative me naftë?

Analisti i politikave energjetike në Institutin Bruegel, Ben McWilliams, thotë se duhet të jetë më e lehtë të gjesh furnizues alternativë të naftës, sesa të gazit.

SHBA-ja i ka kërkuar Arabisë Saudite që të rrisë prodhimin e saj të naftës, por ajo i ka kundërshtuar kërkesat e mëparshme të SHBA-së për të rritur prodhimin, në mënyrë që të ulen çmimet e naftës.

Arabia Saudite është prodhuesja më e madhe në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës – OPEC. OPEC-u përbën rreth 60% të naftës së papërpunuar, që tregtohet ndërkombëtarisht. Për shkak të kësaj, OPEC ka një rol kyç në çmimet e naftës.

Rusia nuk është në OPEC, por ka punuar me të që nga viti 2017.

SHBA-ja po shqyrton gjithashtu lehtësimin e sanksioneve të naftës ndaj Venezuelës. Dikur ka qenë furnizuese kryesore e SHBA-së me naftë, por, kohëve të fundit, Venezuela e ka shitur naftën e saj kryesisht në Kinë.

Çfarë do të ndodhte nëse gazi rus ndalon të rrjedhë në Evropën Perëndimore?

Çmimet për ngrohje – të cilat tashmë janë të larta – do të rriteshin edhe më shumë.

Gazi rus përbën rreth 40% të importeve të gazit natyror të BE-së.

Nëse rrjedha e gazit ndalet, Italia dhe Gjermania do të cenoheshin në mënyrë të veçantë.

Evropa mund t’iu drejtohet eksportuesve ekzistues të gazit, si Katari, ose Algjeria dhe Nigeria, por ka pengesa praktike për zgjerimin e shpejtë të prodhimit.

A mund të gjenden alternativa për gazin rus?

Jo shumë lehtë.

“Është më e vështirë ta zëvendësosh gazin, sepse ne i kemi këto tubacione të mëdha që e çojnë gazin rus në Evropë”, thotë McWilliams për BBC-në.

Instituti Bruegel, me seli në Belgjikë, parashikon se nëse Rusia i ndalon furnizimet me gaz në Evropë, atëherë Evropa mund të importojë më shumë gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja.

Evropa gjithashtu mund ta rrisë përdorimin e burimeve të tjera të energjisë, por ta bësh këtë nuk është e shpejtë ose e lehtë.

“Burimet e rinovueshme kërkojnë kohë për t’u përhapur, kështu që, në afat të shkurtër, kjo nuk është zgjidhje”, thotë për BBC-në Simone Tagliapietra, analist i kërkimeve në Bruegel.

“Për dimrin e ardhshëm, ajo që mund të bëjë ndryshimin, është ndërrimi i karburantit, hapja e termocentraleve me qymyr – ashtu siç planifikojnë të bëjnë Italia dhe Gjermania në rast emergjence”, thotë ai.

BE-ja ka propozuar një plan për ta bërë Evropën të pavarur nga lëndët djegëse fosile të Rusisë, përpara vitit 2030. Plani përfshin masa për t’i diversifikuar furnizimet me gaz./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kënga e kompozuar nga Fatjon Miftari përfaqëson Qipron në Eurovison

Story i radhës

​Britania: Rusia konfirmon se ka përdorur armë termobarike në Ukrainë

Të fundit nga

ShkoLartë